Ne rrjet

Varhelyi: Do të sigurojmë vaksinën anti-covid për Ballkanin Perëndimor

Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi njoftoi se BE po punon për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor në kohën e duhur.

Në një postim në Twitter, ai theksoi se përgatitja e vaksinës është duke u zhvilluar dhe se BE po qëndron krah për krah me partnerët në Ballkanin Perëndimor në luftën kundër virusit korona.

“Në takimin e sotëm të Komitetit Drejtues të Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, unë gjithashtu konfirmova se po punojmë se si t’i vëmë vaksinat në dispozicion në Ballkanin Perëndimor në kohën e duhur, pasi ato fillojnë të zbatohen në BE. Ne jemi pranë partnerëve tanë”, shkroi ai në Twitter.

Bashkimit Europian ka njoftuar disa javë më parë se do sigurojnë vaksinën e Covid-19 jo vetëm për të gjitha vendet anëtare, por edhe për rajonin.

Në një deklaratë të përbashkët, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula van der Leyen bënë të ditur se vaksina për vendet e Ballkanit do të ndahet nga Komisioni Europian, i cili ka lidhur tanimë kontrata me tre prodhuesit kryesorë potencial të vaksinës.

Presidentja e Komisionit konfirmoi se vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të përfitojnë nga platforma ndërkombëtare Covax për sigurimin e vaksinave të para.

Ndërsa shtoi se ekziston dhe mundësia që vendet anëtare të dhurojnë tepricat e tyre, për shembull për Ballkanin.

“Në lidhje me pyetjen për fqinjësinë, ka një qasje të dyfishtë. Më i rëndësishmi dhe impresoniuesi është Covax, që e kemi ngritur së bashku me rreth 119 vende që janë anëtarësuar. Parimi është që vendet me të ardhura të larta duhet të financojnë Covax për të garantuar qasjen tek vaksina edhe për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Është GAVI mbikëqyrësi organizativ i platformës Covax. Dhe ka një mundësi tjetër, nëse ndodh që vendet anëtare të kenë më shumë doza, ata janë sigurisht të aftë edhe iu lejohet ligjërisht t’ia dhurojnë ato doza, për shembull Ballkanit Perëndimor”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Koordinimi i përpjekjeve në luftën kundër pandemisë ishte tema kryesore e këtij takimi të Këshillit Europian.

Presidentja e Komisionit, Europian Ursula von der Leyen ka thënë se pret që vaksinat e para për shitje në tregun e BE-së të marrin autorizimin përkatës në pjesën e dytë të muajt dhjetor dhe nëse gjithçka shkon sipas skenarit pozitiv , vaksina do të nis të shpërndahet afër fundvitit.

Komisioni Europian tashmë ka arritur marrëveshje për blerjen e qindra miliona dozave të vaksinës, që do tu ndahen shteteve anëtare në të njëjtën kohë, në mënyrë të barabartë, me të njëjtat kushte. Sasia do të caktohet në bazë të numrit të banorëve. Shtetet anëtare pastaj mund të japin si donacion sasi të këtyre vaksinave vendeve tjera me të ardhura të vogla apo mesatare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë