Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi konfirmoi se KE do të propozojë mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian brenda muajit qershor. Por, që tryeza ndërqeveritare të bëhet realitet në qershor, duhet që të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian të japin dritën jeshile.
“Në rast se do të kishte një marrëveshje për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në qershor, puna jo vetëm që duhet të vazhdojë, por duhet të përshpejtohet nga Qeveria dhe Kuvendi”, tha Oliver Varhelyi.
LEXO EDHE:
– Basha, Varhelyit: PD, 180 kallëzime para zgjedhjeve, por s’pati asnjë veprim. Vota u tjetërsua
– Varhelyi mbërrin në Tiranë me valixhen me vaksina: Negociatat? Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet
Komisioneri foli gjatë një konference të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, të mbajtur nga Rinasi, ku zyrtari i Brukselit mbërriti për të dorëzuar 145 mijë vaksina Pfizer, dhuratë e Bashkimit Europian.
Ai u pyet në lidhje me procesin zgjedhor të 25 prillit dhe ndikimin e tij te vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE. Varhelyi kërkoi hetim të plotë të pretendimeve dhe akuzave për shitblerjen e votave dhe certifikimin sa më parë të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Në këtë konferencë, Komisioneri Varhelyi dhe Kryeministri Rama u pyetën në lidhje me publikimin e disa dokumentave jozyrtare që sugjerojnë për një plan për rishikim të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Zyrtari i BE i cilësoi si të rreme, ndërsa pas publikimit të tyre hamendësoi se qëndron një dorë që nuk i do të mirën rajonit dhe perspektivës së tij europiane.
“Jemi në një sezon “non paper”. Interesante kur dëgjojmë lajme të tilla, edhe pse asnjë nga këto non paper nuk janë të vërteta. Po të ishin të vërteta do të ishim të shqetësuar. Ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë të gjithë se ku na çon. Asnjë person serioz nuk do të diskutonte mbi këtë çështje. Nuk mendoj se janë ide të vëreta dhe reale, por ndoshta u shërben synimeve të tjera dhe ndjehem mirë për faktin që ato janë njoftuar nga ata persona që u janë atribuar ato dokumente”, u shpreh Komisioneri.
Edhe Rama i hodhi poshtë këto dokumenta. Ai tha se në vend të ripërcaktimit të kufijve, Ballkani Perëndimor duhet të përqëndrohet te projekti i Shengenit Rajonal.
“Shengeni rajonal është rruga që duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë mosdakordësitë tona. Këto nuk duhet të na pengojnë që të mbështesim së bashku ndërtimin e një baze të re për të ardhmen që t’u shërbejë të gjithë fëmijëve të rajonit. Shengeni Rajonal është një projekt i përqafuar plotësisht nga BE dhe nga Komisioni, që është mbështetës konkret i këtij projekti me planin e investimeve”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje