Politike

Varhelyi prezanton raportin para PE, pak pritshmëri për negociatat

Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi do të paraqesë ditën e martë para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet kandidate, përfshirë këtu atë për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.

Gazeta Si mëson se raporti vlerëson “normalizimin” jetës politike në vend, përshëndet rikthimin e opozitës në Parlament dhe bën thirrje që debati të vijojë brenda institucioneve, e sidomos brenda Parlamentit.

Në lidhje me procesin zgjedhor të 25 prillit, raporti i Komisionit adreson shqetësimet e ngritura në raportin e vëzhgimit të OSBE/ODIHR për fshehtësinë e votës, mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve dhe apelon për zbatimin e rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë këtu depolitizimin e administratës zgjedhore.

Pas prezantimit para eurodeputetëve të Komitetit, Raporti do t’i nënshtrohet fazës së propozimeve për amendime. Kjo është faza që shfrytëzohet nga euroskeptikët dhe ekstremistët për të hedhur në draft propozime që deri në një farë mase shprehin edhe qëndrimet e vendeve të caktuara anëtare të BE, të paktën sipas një dokumenti të brendshëm që qarkulloi në muajin shtator.

Dokumenti flet për disa vende anëtare që nuk duan anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Aty nuk përmenden emra shtetesh, por Reuters deklaronte se në listë ishin vende si Franca, Holanda dhe Danimarka. Në vend të anëtarësimit, këto shtete propozojnë që Brukseli t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor një partneritet strategjik.

Një tjetër dokument po i brendshëm i BE që rrodhi në fillim të muajit tetor para samitit të Bërdosë në Slloveni mes vende të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian ishte edhe më goditës për ambicien europiane të Shqipërisë. Dokumenti ngrinte shqetësimin për shkeljet e kushteve të liberalizimit të vizave nga shtetas nga disa vende të treta, përfshirë këtu shtetas shqiptarë.

Franca dhe Gjermania, sipas atij dokumenti, kanë ngritur shqetësimin për kërkesat e pabazuara të azilit nga shtetas shqiptarë, madje Berlini sugjeron në dokument që Komisionit Europian të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të lëvizjes së lirë për disa vende, përfshirë Shqipërinë.

Të gjitha këtyre u shtohet edhe paqartësia në drejtimin e BE pas largimit të Angela Merkel. Qeveria e re gjermane ende nuk është formuar. Askush nuk pret që ajo të ndryshojë qasje në politikën e jashtme sa i takon Ballkanit Perëndimor, apo Procesit të Berlinit të nisur nga Merkel, por mund ajo mund të ndryshojë qasjen për shpejtësinë e procesit.

Pritshmëritë për hapjen e negociatave mbeten të ulta, edhe pas apelit kërkesës që Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken i bëri Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Josep Borrell. Në takimin e fundit të tyre, Blinken i kërkoi Borrell hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Hapja e tyre po bllokohet aktualisht nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe sinjalet që dolën pas samitit të Sllovenisë treguan që Sofja nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat e saj për ndryshim në tekstet e historisë dhe çështje të tjera kulturore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë