Këshilli Europian është ende në fazën e shqyrtimit të udhërrëfyesit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe një vendim pritet të merret brenda këtij muaji për këtë çështje.
Por, ndërsa për Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë pengesë dhe në dukje as mëdyshje që mbledhja e parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit të zhvillohet në muajin dhjetor brenda Presidencës gjermane të BE-së, për Shqipërinë dilemat janë të mëdha.
Megjithatë, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi shpreson që mbledhjet e para ndërqeveritare të mbahen me të dyja vendet në dhjetor.
“Ne e kemi propozuar udhërrëfyezin e negociatave për të dyja vendet dhe Këshilli është duke diskutuar se kur dhe si do të mbahen konferencat ndërqeveritare me të dyja vendet. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mbledhjet e para ndërqeveritare me të dyja vende të mbahet brenda Presidencës gjermane. Kjo është e mundur”, deklaroi Varhelyi gjatë fjalës së mbajtur në një forum të organizuar në Berlin nga fondacioni gjerman, “Konrad Adenauer”.
Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kusht për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare dhe me formimin e Qeverisë së re mes LSDM-së dhe BDI-së në Shkup, kjo mund të realizohet brenda këtij viti.
Por, për Shqipërinë në vendimin e marsit për hapjen e negociatave, Këshilli Europian ka vendosur tre kushte që duhen plotësuar para mbajtjes së kësaj konference. Kushti i parë është rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese, rikthimi në funksion i Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore.
Dy kushtet e para nuk janë plotësuar ende, ndërkohë që mbetet për t’u parë se si do ta interpretojë Këshilli marrëveshjen e 5 qershorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që më shumë se një reformë janë produkt i një dakordësisë politike.
Komisioneri vuri theksin edhe tek nevoja që BE t’i qëndrojë pranë rajonit, sidomos me mbështetje në financimin e projekteve infrastrukturore që e afrojnë Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Europian, edhe si parapritë ndaj ndërhyrjes së aktorëve të tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje