Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje për mediat iu përgjigj akuzave të bëra sot nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për shitblerjen e votës.
Duke iu referuar deklaratës së Taulant Ballës se LSI ka damkën më të turpshme për shitblerjen e votës në Shqipëri dhe se duhen ashpërsuar dënimet për shitblerjen e votës, Vasili tha se maxhoranca është produkti më i shëmtuar i shitblerjes së votës në vend. Ai citoi raportet e OSBE-ODIHR dhe DASH.
“Para pak minutash me pacipësinë që e karakterizon tashmë Parlamentin e kuislingëve, pikërisht në këtë sallë tashmë e cila vjen erë, pra në Parlamentin e Shqipërisë, guxuan që të diskutojnë për votën. Guxuan që të diskutojnë e të thonë që do të jenë ata që do të zhdukin edhe shitblerjen edhe manipulimin e votës. Guxuan të thonë që janë ata zgjidhja që mund ta bëjë këtë gjë. Sot jam përpara jush për të qartësuar njëherë e përgjithmonë me shqiptarët se çfarë është ky Parlament e për çfarë duhet të përgjigjet”, u shpreh Vasili.
Për shitblerjen e votës nga ana e maxhorancës, ai citoi raportet e OSBE-ODIHR dhe DASH.
“Në radhë të parë ky është një Parlament dhe Rilindja e cila e ka zaptuar atë forcërisht, në kundërshtim me Kushtetutën dhe çdo gjë tjetër, është produkti më i shëmtuar dhe i neveritshëm i shitblerjes së votës në këtë vend. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita, këtë e thotë raporti i OSBE/ODIHR, i cili nënvizon qartë se vetëm LSI dhe PD denoncuan qartë shitblerjen e votës nga Partia Socialiste, dhe nuk ka asnjë rresht apo paragraf që të provojë të kundërtën për këtë gjë. Të njëjtën gjë pohon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i vë damkën zgjedhjeve si zgjedhje të cilat u karakterizuan nga shitblerja e votës. Dhe duke iu referuar sërish raportit të OSBE/ODIHR kemi pikërisht ata që shitën dhe blenë votën, të cilën përfundimisht e nxjerr sheshit dosja 339”, shprehet ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
Vasili deklaroi se shqiptarët presin dhe do donin që ata që vodhën miliona euro në Unazën e Re të ishin në burg duke kërcënuar në këtë mënyrë maxhorancën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje