Politike

Vasili: SPAK të hetojë Autoritetin e Dosjeve, shantazhoi ish-Presidentin

Petrit Vasili kërkon nga SPAK që të hetojë me urgjencë Autoritetin e Dosjeve, që e akuzon se shpërdoroi detyrën me regji të Qeverisë duke u shndërruar në vegël qorre politike të Edi Ramës.

“Faktet asgjësuese, që dërrmuan e bënë hi skenarin mafioz kundër ish-Presidentit dolën në dritën e diellit dhe Autoriteti i Dosjeve është sot nën akuzë të rëndë. Shantazhues, vegël politike qorre e Edi Ramës, shkelës e shpërdorues i ligjit dhe detyrës, kjo është fytyra e Autoritetit të Dosjeve. SPAK të fillojë urgjentisht hetimin e gjerë e shumë të thelluar të skenarit politik mafioz të zbatuar nga Autoriteti dhe të ndëshkohen me të gjithë rreptësinë e ligjit përgjegjësit siç e meritojnë”, shkruan ai.

Vasili thotë se i gjithë qëllimi për të cilin është keqpërdorur Autoriteti i Dosjeve është heqja e vëmendjes nga hajdutëria dhe vjedhjet masive të Qeverisë.

“Autoriteti i Dosjeve, që de fakto është kthyer në një zyrë shtesë e qeverisë dhe aspak në një institucion të pavarur, u vu haptas në shërbim të një skenari politik mafioz për të shantazhuar ish-Presidentin Meta. Në shpërdorim të hapur të detyrës dhe në dhunim të plotë të ligjit ky Autoritet zbatoi hapur një skenar shantazhi dhe krijimi të një konfuzioni plotësisht të qëllimshëm publik me iniciale emrash dhe me e-mail anonim, ku gjithçka u krye me regji të Qeverisë dhe Ramës”, vijon ai.

Deputeti e krahason Autoritetin me vetë Sigurimin e Shtetit.

“Që dikur shantazhonte dhe kërcënonte me çdo formë dhe mjet shqiptarët në funksion të diktaturës së urryer komuniste dhe të shkatërrimit të jetës së mijëra e mijëra shqiptarëve. Kur ky Autoritet arrin të guxojë të shantazhojë ish-Presidentin e Republikës, mendoni se ç’ndodh me qytetarë të thjeshtë. Qytetarët e thjeshtë mund të bëhen në çdo çast viktima të shantazhit e manipulimit të tij me Dosjet e Sigurimit për qellime dhe përfitime nga më të ulëtat”, deklaron Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë