Futboll

Vazhdon mbretërimi i Partizanit në derbi, fitore pas sherrit

Mallkimi vazhdon. Edhe pse ka bërë një ndeshje shumë të mirë, Tirana ka dalë sërish e mundur në derbin me Partizanin, që fitoi 1-2. Përleshjet mes tifozëve dhe koreografitë e veçanta thumbuese ia lanë vendin spektaklit në fushë. Një ndeshje me ritëm të lartë, me një Tiranë dominuese në pjesën e parë, por me probleme në mbrojtje, ndërsa të kuqtë pragmatistë, duke marrë maksimumin nga vetja.

Braziliani Uilliam Kordeiro dhe Solomon, dy lojtarë të ardhur te Partizani në merkaton e verës, kanë shijuar me gol derbin e parë të sezonit. Të dy shënuan në momentin më të mirë të Tiranës në pjesën e parë. Të kuqtë e vuajtën shumë fillimin e ndeshjes, sidomos në mesfushë. Tirana humbi një mori rastesh dhe u ndëshkua nga gabimet në mbrojtje. Në pjesën e dytë krijoi volum të madh loje dhe shënoi vetëm golin e nderit. Në fund pati pretendime edhe për një penallti, por që nuk u akordua nga kryesori Meta. Partizani triumfon sërish dhe e mbërrin Tiranën në kuotën e 10 pikëve, por golaverazhi e mban ende prapa. Pjesëmarrja e tifozëve në derbi ishte e madhe, sidomos në krahun bardheblu, ku sërish ka pasur zhgënjim. Festë në kampin e kuq, që ndeshjet derbi arrin t;i fitojë edhe kur luan më dobët se Tirana. Një fitore kjo që forcon pozitat e Lerdës në stol, pasi kreu është vetëm 1 pikë larg.

Sherri mes tifozëve

Para ndeshjes ka apsur tension mes tifozëve të Tiranës dhe Partizanit në stadiumin “Selman Stërmasi”. Diçka që pritej në fakt, duke pasur parasysh rivalitetin e madh mes dy tifozërive të dy klubeve të kryeqytetit. Ka pasur sherr dhe mes tifozërive, ndërkohë që lojtarët ishin në fushë, duke bërë nxemjen. Disa tifozë kanë marrë plagë, pasi janë goditur me sende të forta. Pas provokimeve me fjalë nga dy tifozëritë, tensioni u rrit deri në përplasje fizike. Ndërhyrja e policisë ka bërë që situata të qetësohej. Forcat e rendit ndoshta nuk e prisnin që të kishte incidente kaq shpejt, megjithatë kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë marrë situatën nën kontroll. Derbi ishte ndezur ende pa filluar.

Nga përplasja mes tifozëve. Gazeta Si, 29 shtator 2019


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë