Bota

Vdes me trombozë 18-vjeçarja në Itali, ishte vaksinuar me AstraZeneca

Një 18-vjeçare nga Genova në Itali, ka humbur jetën në spital pasi pësoi trombozë. Më 25 maj, 18-vjeçarja Camilla Canepa, me entuziazëm mori pjesë në ditën e hapur të organizuar nga Rajoni i Ligurias për t’u vaksinuar me AstraZeneca.

Më 3 qershor, ajo shkoi në dhomën e urgjencës së spitalit Lavagna me dhimbje koke dhe fotofobi dhe u dërgua në shtëpi pas një skanimi negativ të CT.

Më 5 qershor ajo u kthye në dhomën e urgjencës së spitalit rajonal të Genova, San Martino, pasi ishte shumë e sëmurë dhe kishte vështirësi motorike. Menjëherë mjekët konstatuan një hemorragji cerebrale.

Camilla vdiq para dy ditësh, pasi i ishte nënshtruar një operacioni për të hequr mpiksjet e gjakut dhe për të ulur presionin brenda-kafkës, por kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Mësohet se prindërit e vajzës kanë dhënë leje që organet e saj të hiqen dhe të dhurohen te personat, që kanë nevojë.

Prokurori Publik i Genovas, ka filluar një hetim për gjetjen e fakteve.

Ndërkohë, është tërhequr nga autoritetet sasia e vaksinave AstraZeneca, me të cilën u vaksinuan Camilla dhe një grua 34-vjeçare nga Savona, e cila ishte paraqitur në dhomën e urgjencës me një dhimbje koke të rëndë dhe u shtrua në spital. Ajo u operua për të hequr trombin abdominal dhe është në reanimacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë