Komunitet

Vëllazëria Ungjillore: Protesta, si pranverë në dimër

Protesta studentore vijon ende dhe gjatë gjithë kohës ka pasur reagime të ndryshme. Një prej tyre është dhe deklarata e kryetarit të “Vëllazërisë Ungjillore e Shqipërisë”, pastorit Ylli Doci, i cili shprehet se protesta studentore është një frymë guximi për shoqërinë shqiptare.
“Protesta Studentore është si pranverë në dimër! Kush nuk e do pranverën? Kush nuk e do begatinë e bukurisë dhe ngrohtësisë mes një ngrice dhe zymtie dimri? Protesta Studentore është një frymë e tillë freskie guximi dhe sinqeriteti para një realiteti të zymtë dhe të vështirë dimri ekonomik dhe shoqëror shqiptar, prandaj edhe ne Ungjillorët përshëndesim këtë impuls jete të drejtë për arsim me dinjitet. Ne e shikojmë gjithashtu, se përdhosja e vlerave të respektit për dijen dhe kulturën nga pasioni për paranë apo arroganca autoritare është e papranueshme në institucionin e arsimimit të kombit, prandaj mirëpresim ndryshime,” shkruan ai.   

Në deklaratën e tij pastori shprehet se ashtu si gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve, edhe anëtarët e vëllazërisë ungjillore janë të vetëdijshëm për rrënjët e problemeve të shumta të cilat kanë motivuar këtë protestë. Sipas tij, problemet lidhen disa sëmundje të ndryshme që kanë mbërthyer prej kohësh shoqërinë shqiptare dhe të gjithë presin që standardet e duhura që duhet të sanksionohen në reflektim të kërkesave legjitime të rinisë, do të bëhen një pikë referimi për të adresuar në thellësi problemet që vijnë nga padrejtësi dhe përdhosje të vlerave në aspektet e tjera të jetës së shoqërisë shqiptare.

Pastori Ylli Doci

“Në këtë prag Krishtlindjeje, ne urojmë që gjithë shqiptarët ta shohin rininë tonë studentore si Jezusin e porsalindur që solli gëzim në mes të një stalle të varfër, kur nuk kishte një shtëpi të përshtatshme në atë kohë për familjen e tij, dhe në mes të këtyre problemeve që kemi, të gëzohemi që kemi një rini premtuese për një të ardhme më të mirë,” shton ai.

Kryetari i VUSH i bën thirrje të gjithë qytetarëve, të gëzohen për këtë rini që ngre zërin me guxim dhe besim në forcën e vet të ardhmërisë dhe të përveshim krahët për punë serioze.
“Zëri i rinisë, tani, duhet përkthyer në marrëveshje veprimi dhe ne inkurajojmë aktorët e shumtë të shoqërisë dhe qeverisë, të mobilizohen për qartësim hapash drejt zgjidhjes me mirëkuptim, dashamirësi dhe përkushtim. Ashtu si Jozefi dhe Maria pritën dijetarët në shtëpinë e tyre në Betlehem, edhe ne pas ca kohësh të presim me dinjitet në një shtëpi të ndërtuar më mire, ardhjen e mbretërve nga larg nëpër botë për të parë dhe për t’u mahnitur me loçkën tonë, rininë tonë, pranverë zemre që do të sjellë pranverën kombëtare! Gëzuar Krishtlindjen!,”shprehet pastori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë