Kur mbeten as 48 orë nga afati përfundimtar i regjistrimit të partive në KQZ, Sali Berisha e tha vetëm pas mbledhjes së kryesisë se cilat ishin variantet për të regjistruar kandidatët e tij në zgjedhje.
“Propozimet janë: Koalicioni (propozim është) – të pavarurit, por kjo nuk shkon shumë, ka pak mbështetës. Megjithatë do të merret vendim (neser) nga Këshilli Kombëtar i PD”.
Vetë ai nuk mundet të regjistrohet pas vendimit të Apelit. Nga e premtja ai nuk ka më as vulën, as siglën dhe as selinë e partisë me vendim gjykate.
Më herët në fillim të mbledhjes, ai la të kuptohet qartë se nuk do të bëjë një zgjedhje bashkëpunuese me Alibeajn apo Bashën kushdo që do të figurojë në letra në krye ta partisë kur i telendisi të shtunën duke i etiketuar si “Basha-Vula” apo “Brava Alibasha” që sipas tij pas vendimit të djeshëm nuk kanë as 10 vetë pas. Berisha tha se, “Rama dhe Kim mendojnë se pasi dështuan me Bravën, do e ringjallin Bashën me Vulën”.
Ai njoftoi edhe rrugën ligjore që do të ndjekë; Atë të dërgimit të vendimit të Apelit per rekurs brenda 5 ditëve në Gjykatën e Lartë.
Berisha tha se nuk ka shpresa për rrëzim vendimi nga kjo gjykatë, duke sqaruar se qëllimi është ta cojë PD në gjykatën ndërkombëtare.
“Duhet t’u njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë.
E them unë, që njerëzit mund të habiten se si ta dërgojmë ne te Sadushët. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi.
Nuk presim asgjë tjetër, se urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Sepse ka ndodhur një gjë që në një vend anëtar të Këshillit të Europës, në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë.
Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit”, tha ai. Edhe njëherë, Berisha përsëriti se vendimi u gatua nga Edi Rama dhe se Alibeaj dhe Basha u përdorën për qëllimet e tij.
Raportin me Bashën ai e pati të qartë.
“Unë jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë demokratëve, edhe ndonjërit që ka qëndruar indiferent, të distancohet nga ky peng i shpifur, nga këta pengje të shpifur, që kanë shënuar rekordet më të ulëta të politikanit: Brava-Alibasha.
Sot është koha që demokratët të bashkohen, të gjithë ata që kanë karakter, që nuk duhet të ndjehen të keqpërdorur nga Brava-Alibasha, vegla të shpifura të Edi Ramës.
Është koha që çdo deputet të mbajë qëndrimet e tij në përputhje me interesat e qytetarëve që e kanë votuar. Të ngrihen mbi çdo interes tjetër.
Ju garantoj se ne jemi sot më të fortë se kurrë dhe nesër do jemi më të fortë se sot”.
Tha të njëjtën gjë edhe pas mbledhjes së kryesisë i pyetur konkretisht mbi një ftesë te deputetit Dashnor Sules për të bashkuar emrat në siglën e PD.
“Çdo demokrat që ka minimumin e minimumit të lidhjes me këtë parti, e ftoj të dënojë me ashpërsinë më të madhe aktin e turpshëm, aktin antikushtetues të Edi Ramës duke shfrytëzuar veglat e tij Basha-brava , brava-Basha. Ndaj dhe këtu besoj se çdo anëtar i PD-së, çdo zyrtar, çdo deputet i saj, çdo mbështes i saj, e ka të qartë aktin armiqësor dhe atë, askush të mos mendojë se ne do të mposhtemi nga armët e Edi Ramës”, tha Berisha. / n.p
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje