Politike

Vendimi i Kushtetueses për 30 qershorin, Meta: Stop gënjeshtrave të deputetëve Basha dhe Bardhi

Një reagim i Presidentit Ilir Meta mbi një deklaratë televizive të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, mbi vendimin e Kushtetueses për zgjedhjet e 30 qershorit, lë të kuptoje shumëçka mbi raportet e Ilir Metës me pjesën zyrtare të PD-së.  

Meta ndër radhë nuk e njeh Bashën madje as edhe si kryetar të PD-së duke e cilësuar thjesht deputet ashtu edhe Bardhin që në PD mban  detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.   

“Deputeti Bardhi, gënjen kur me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të përsëritur deklaron se Gjykata Kushtetuese na paska thënë se, ‘subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit qe ta inicionte procesin në këtë gjykatë’.

E ftojmë zotin Bardhi, që të na e lexojë se në cilin paragraf Gjykata Kushtetuese e paska shkruajtur saktësisht atë që ai deklaron se gjoja po të ishte paraqitur kërkesë nga Presidenti, Gjykata do t’i shpallte antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit?!.

Mjaft me gënjeshtra!

Deklarimet e zotit Bardhi janë të tejmbushura me gënjeshtra.

Nga njëra anë shihet taktika e përsëritur 5-vjecare për t’i ikur përgjegjësisë që ka lidershipi i Partisë Demokratike për situatën e braktisjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor 2019, dhe nga ana tjetër deputeti Bardhi merr përsipër të gënjejë kësaj radhe edhe në emër të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Meta, duke i cituar Bardhit edhe disa paragrafë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.  .

“Gjykata Kushtetuese e shpalli veten jokompetente për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e proceseve zgjedhore në tërësinë e tyre.

Për qartësinë e të gjithëve, sipas vet Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kush subjekt mund të paraqiste një kërkesë për antikushtetutshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, ajo sërish do ta shpallte veten si jo kompetente për mungesë të juridiksionit kushtetues.

Kjo gjithmonë sipas asaj që thotë vet Gjykata!!!

I rikujtojmë deputetëve Basha – Bardhi, që Presidenti i Republikës nuk është as subjekt zgjedhor, as përfaqësues i ndonjë partie garuese në zgjedhje, dhe as hyn në llojin e atyre institucioneve që kanë për detyrë që sa herë ka garë elektorale të ndjekë nëpër gjykata Partitë Politike, apo të mbrojë interesat e ndonjë force politike të caktuar”, shkruan Meta ndër radhë.

Ai kujton gjithashtu se, “Presidenti i Republikës, ka për detyrë të ushtrojë kompetencat dhe rolin që i jep kushtetuta, ku ndër detyrat kryesore të tij është të mbikëqyrë funksionimin normal të mekanizmave kushtetues, duke ndërhyrë për eliminimin e mangësive në këtë drejtim”.

“Për këtë Presidenti nxjerr dekrete, që në rastin e zgjedhjeve vendore 2019, askush nuk guxoi t’ia sfidonte këto dekrete përpara ndonjë Gjykate, as përpara Gjykatës Kushtetuese.

Në mungesë të një vendimi të themeltë nga Gjykata Kushtetuese, dhe pas shpalljes së vetes si jo kompetente prej saj, Presidenti i Republikës i bindet vetëm Kushtetutës së Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve shqiptar në ato 6 Bashki që sot janë pa kryetar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë