Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të njohur legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, pritet që t’i hape rruge një tjetër vendimi atij të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Pas vendimit të Kushtetueses, Presidenti Meta, i cili më herët kishte kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, duhet të dekretojë zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për 7 bashkitë që kanë mbetur pa kryetar të zgjedhur.
Konkretisht zgjedhjet për bashkinë Shkodër që drejtohet nga Voltana Ademi, në Durrës që drejtohet nga kryetarja e komanduar, Emirjana Sako, në Vorë ku drejton i komanduar Gentian Picari pas dorëheqjes së Agim Kajmakut si rezultat i ligjit të dekriminalzimit, në Dibër që drejtohet nga Shkëlqim Murrja i komanduar pas dorëheqjes së Dionis Imerajt, në Rrogozhinë pas ndarjes nga jeta të Haxhi Memollës, Lushnjë që administrohet nga Eriselda Sefa pas arrestimit për korrupsion të Fatos Tushës dhe së fundmi, largimit de facto të Qerim Ismailit ndaj të cilit SPAK ka kërkuar arrestimin i prekur nga ligji i dekriminalizimit.
Zgjedhjet vendore të pjesshme duhet të zhvillohen 30 ditë pas ditës së shpalljes së dekretit të Presidentit.
Deri më tani, Presidenti Meta nuk ka komentuar vendimin e Kushtetueses. Nuk e ka bërë këtë gjë as PD-ja forca më e madhe opozitare e cila sot ndodhet në situatën më të paprecedentë brenda saj.
Asnjë prej deputetëve demokratë nuk kanë komentuar vendimin e Kushtetueses e madje as qëndrimin që do të mbajnë nëse Meta dekreton zgjedhjet e pjesshme.
Në anën tjetër, PS-ja, përmes Taulant Ballës, i ka kërkuar Metës që të dekretojë zgjedhjet e pjesshme.
Sipas tij, “Presidenti si një institucion i rëndësishëm duhet të marrë vendimmarrjet në atë që përcakton Kushtetuta në këtë rast”.
I pyetur nëse PS i ka gati emrat për kandidatët për bashkitë që nuk kanë kryetarë, Balla tha:
“Unë s’do jap përgjigje, natyrshëm që PS është sot krenare për vendimmarrjen e vet për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje