Komunitet

Vetëvarja e 13 vjeçarit në Lushnjë për videon e Tik-Tok/ Kushi: Përgjegjësia mbetet e të gjithëve

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka fajësuar orët e gjata e të pakontrolluara në internet të fëmijëve dhe është shprehur se ngjarja e Lushnjës ku një fëmijë 13 vjeçar u vetëvar duhet të alarmojë të gjithë shoqërinë, familjen, shkollat e çdo institucion.  Nga një takime me stafin akademik dhe studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani, Kushi shtoi se këtë shqetësim  e ka ngritur prej kohësh. “Rasti i 13-vjeçarit në Lushnjë akoma nuk është vërtetuar se cila ka qenë arsyeja, por dyshimet janë për shkak të angazhimit të tij të madh në rrjete sociale, përdorimi i programeve dhe videove të caktuara,” shtoi Ministrja.

Ajo shtoi se është përgjegjësi e të gjitha institucioneve dhe e të gjithë shoqërisë të merren me këtë fenomen.

 “Ne si institucione arsimore pa dyshim që kemi përgjegjësi të lartë në edukimin e fëmijëve, në informimin e tyre për rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi i tepruar i teknologjisë apo qëndrimi me orë të zgjatura në telefona celularë apo iPad, kompjuter dhe internet, por kjo është një detyrë që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, jo vetëm punonjësit psikosocial, jo vetëm institucionet arsimore, por edhe familja e shoqëria. Prandaj them që përgjegjësia është e jona,” shpjegon Kushi.

Sipas Kushit edhe pse ngjarja është në hetim, deklaratat e shokëve kanë ngritur dyshimin se 13 vjeçari po përgatiste një video për Tik-Tok. Ministrja tha se ka iniciuar një diskutim të gjerë për të marrë mendime se cilat janë rrugët e duhura për të bërë kontrollin e fëmijëve përpara rrezikut kibernetik.

“Kam bërë një ftesë publike që të hapim një debat të gjerë çfarë duhet të bëjë gjithsecili, çfarë përgjegjësish duhet të marrë në mënyrë që të mos dëmtojmë as shëndetin, as të ardhmen e fëmijëve tanë, por e kundërta, të ndërtojmë strategji e politika se si ti edukojmë sa më mirë dhe sa më shëndetshëm,” shtoi më tej Kushi.

Më tej Kushi shpjegoi se që nga viti i ardhshëm, me buxhetin e vitit 2022, kemi 1.2 miliard lekë në dispozicion për rikonstruksionin e shkollave jo vetëm në zonat e tërmetit, por edhe në bashki të tjera në të gjithë Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë