Për ata që e kanë ndjekur nga afër në vitin 1990 e disa sezone më pas, Sampdoria e asaj kohe ishte si një festë e lëvizshme. Kush shkonte në Xhenova për të shijuar diellin, nuk mund ta humbte shansin për të parë edhe Sampdorian e artë të sezonit 1990-1991, kur ajo fitoi titullin kampion në Itali. Një titull historik për kohën, sepse Italia ishte një superfuqi në futbollin botëror dhe çdo të diel zbrisnin në fushë lojtarët më të paguar të planetit.
Ishin Milani i Van Basten dhe Gulit, Napoli i Maradonës, Interi i Mateus dhe Brehme, Juventusi i Baxhos. Mjafton të zgjidhje një ekip dhe gjithçka do të shkonte mirë. Për Sampdorian nuk flitet thuajse fare. Te Sampdoria, Viali dhe Mançini ishin maja e një ajsbergu: talent, teknikë, forcë dhe akrobaci. Njëri “qëndiste” lojën, tjetri shënonte golat. Dy lojtarë të destinuar për të qenë kampionë. Paolo Mantovani, presidenti i Sampdorias, një njeri shumë i pasur në Itali, i kishte marrë në Xhenoa që fëmijë, për t’i rritur me qetësi, si djem dhe si kampionë, në stilin “british”. Ata ishin si lordë të vegjël dhe çdo gjë për ta ishte e kuruar mirë, nga këpucët e lustruara, te kostumet e qepur me shumë kujdes.

Në këtë familje futbollistike të dominuar nga fuqia absolute e “babait”, mjaft i rëndësishëm ishte trajneri Vujadin Boshkov, ish-lojtar i Sampdorias, me një përvojë të madhe nëpër botë dhe me njohurinë e një trajneri që kishte drejtuar edhe Realin e Madridit. Atij i pëlqente futbolli i thjeshtë, me libero dhe mbulim një për një, një futboll jashtëzakonisht efikas. Ishte “rrufepritësi” për lojtarët dhe presidentin, duke e mbrojtur me fanatizëm ambientin ku punonte, largonte tensionin dhe çdramatizonte çdo situatë të vështirë. Empati absolute, dinte t’i jepte secilit atë që i takonte, shpesh me të qeshur dhe asnjëherë me qëndrim të rëndë.
Shumë batuta të tij kanë mbetur të skalitura në memorien e atyre që e ndjekin futbollin. Batuta shumë të goditura. Një prej tyre është ajo para finales së Kupës së Kupave ndaj Barcelonës në Bernë: “Kush është Kruijf? Kampion i madh, por çfarë ka fituar si trajner?” Fjalë për njeriun që po ndryshonte historinë e futbollit, por ajo përgjigje agresive duhej për të larguar nga skuadra e tij ndjenjën e të qenit një skuadër province dhe për të transmetuar kurajë, që të tijtë të luanin si të barabartë. Psikologjia e fushës. Ai i jepte gjithmonë tituj bombastikë shtypit sportiv.

Nuk ishte asgjë rastësi tek ajo skuadër e ndërtuar pjesë-pjesë, si një mozaik rreth dy “xhevahireve”, që u rritën me kalimin e kohës dhe u bënë liderë edhe në planin teknik. Në portë ishte Paljuka, shumë i ri në moshë, në qendër të mbrojtjes Vierkvud, në mesfushë Cerezo dhe Dosena që e luanin mirë topin, përpara me një shpejtësi shpërthyese Lombardo, i mbiquajtur “Popeye”, por edhe klasi i ukrainasit Mikhailiçenko. Viali dhe Mançini kishin nevojë për lojtarë që i furnizonin me topa në sulm. Janë të famshme shpërthimet e Mançinit ndaj shokëve, kur ata nuk bënin lojën që për të ishte e lehtë dhe për të tjerët jo. Është çështje gjenesh. Por më pas gjithçka ndryshonte jashtë fushe, me darka në restorante dhe piceri, me shaka, alegri, batuta dhe kunja. Sot nuk mund ta imagjinosh një tip të ngjashëm raporti mes lojtarësh të atij niveli dhe një skuadre aq të fortë. Sukseset nisën me Kupën e Italisë dhe vazhduan në Europë me Kupën e Kupave të fituar në Goteborg, me dygolëshin e Vialit të frymëzuar nga Mançini. Pastaj klima ndryshoi.

Zhgënjimi i parë i madh për Vialin dhe Mançinin ishte Botërori i 1990-ës në Itali. Netët magjike dhe golat që vinin me aq shumë vështirësi. Sampdoria nuk kishte shumë peshë si skuadër dhe Italia i besoi dyshes së Juventusit Baxho-Skilaçi. Ai zhgënjim nga kombëtarja italiane u bë motiv për “hakmarrje” në vitin pasardhës, kur Sampdoria fitoi titullin, të vetmin në historinë e saj. Titulli i buzëqeshjes, që erdhi nga dominimi në ndeshjet direkt ndaj rivalëve, Milanit, Interit dhe Napolit. Pas titullit, Kupa e Kampionëve. Galopimi i madh dhe finalja në legjendarin “Wembley”, ku Viali dhe Mançini përjetuan një tjetër dramë, pas triumfit të Barcelonës së Kruijfit. Pa atë kupë me veshë të mëdhenj, cikli i “gurusë holandeze” nuk do të përmbushej me “Dream Team”-in dhe ndoshta futbolli do të ishte ndryshe.

Ai gol me goditje dënimi i Koeman në kohën shtesë solli humbjen e Sampdorias dhe fundin e një futbolli, që nuk ekziston më. Viali shkoi te Juventusi, Boshkov te Roma dhe të tjerët me radhë në klube të ndryshme. Një moment i dhimbshëm. Viali mori me vete pak Sampdoria te Juventusi, kurse Mançini te Lacio. “Nuk do të isha kurrë Viali pa Mançinin”, – ka pohuar Xhanluka në atë kohë. Por edhe Mançini nuk do të ishte ai që ishte pa Vialin. Miq në fushë dhe jashtë saj. Në momentin më të vështirë të Vialit, në luftën kundër sëmundjes, dy miqtë mund të punojnë sërish bashkë, tek Italia. Bukur! Në fund të fundit, në Koverçano u njohën, në një grumbullim të ekipeve të moshave në sezonin 1979-80. Jeta i ka ndryshuar, por jo aq shumë…
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje