Qeveria hungareze ka vendosur që të shpërndajë 1.7 miliard euro për rreth 800 mijë familje në formën e rimbursimit të taksave.
Ministria e Financave njoftoi se numri i aplikimeve për të përfituar nga këto fonde është 835 mijë. Përfituesit duhet të plotësojnë disa kushte, të jenë familje me fëmijë, me persona me aftësi të kufizuara, gra shtatzëna ose çifte të reja që mbajnë të moshuar.
Do të rimbursohet taksa e vendosur mbi pagën bazë, mbi asistencën, taksa mbi të ardhurat e siguruara nga aktiviteti në bujqësi dhe taksa mbi të ardhurat e qirasë. Sipas qeverisë hungareze, mbi 81 për qind e aplikimeve janë bërë online dhe rimbursimi i këtyre fondeve do të nisë brenda muajit janar, me synim që brenda prillit të gjithë personat përfitues t’i kenë marrë në llogaritë e tyre.
Zyrtarisht, Qeveria thotë se ky vendim synon të ndihmojë dhe forcojë familjet hungareze në vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e Covid. Por, koalicioni opozitar akuzon se këto rimbursime janë ndërmarrë për efekt elektoral, pasi në prill vendi pritet që të mbajë zgjedhjet e radhës parlamentare.
Opozita këtë herë është e bashkuara në një koalicion të vetëm dhe nga ekspertët këto parashikohen që të jenë zgjedhjet më të vështira për Victor Orban, që prej 2010-s, kur ai u zgjodh Kryeministër i Hungarisë për herë të dytë pas mandatit të parë të marrë në 1998-2002.
Një fitore e opozitës do të ndryshonte temperaturat politike në Budapest dhe do të lehtësonte takimet e Bashkimit Europian, ku në shumë vendimmarrje, Hungaria e Obran ka luajtur rolin e shtetit rebel.
Megjithatë, sondazhet e mesit të dhjetorit nuk janë pozitive as për opozitën. Fidesz e udhëhequr nga Orban kuotohej një muaj më parë me 48 për qind të mbështetjes, ndjekur nga koalicioni i opozitës së bashkuar me 46 për qind të saj, ndërsa pjesa tjetër shkonte për partitë e vogla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje