Futboll

Video/ 6 gola dhe sulm me gurë, kur Juventus-Inter përfundonte në gjykatë

Juventus-Inter, parë me një sy neutral, pritet para së gjithash për të kuptuar cila do të jetë polemika e radhës që do të ndajë edhe më shumë botën bardhezi me atë zikaltër, të destinuara të kryqëzohen të paktën dy herë në vit (maksimumi 4 herë, pasi është edhe Kupa e Italisë në mes). Trajektoret e tyre paralele janë të destinuara të mos preken kurrë. Mes shumë ngjarjeve të bujshme, është edhe një ndeshje më pak e njohur, por vendimtare për fatet e titullit kampion të kohës.

Është viti 1983 dhe derbi i Italisë vlen më shumë për Juventusin, që është në ndjekje të Romës në garën për titull, se për Interin. Sipas parashikimeve, Juventus-Inter dhuron spektakël dhe emocione në fushë. Dopieta e Platini dhe një gol i Betegës nuk janë të mjaftueshëm që Juventusi të marrë 2 pikët, sepse Interi barazon rezultatin në 3-3, me gola të Altobelit, Orialit dhe Mylerit. Është java e 28-të e kampionatit dhe Roma pretendente fiton 2-0 me Avelinon, ndërsa Juventusi nuk shkon më shumë se barazimi. “Zonja” i dorëzon kështu titullin Romës, së cilës i mjafton 1 pikë në 2 ndeshjet e fundit.

Juventus-Inter e vitit 3-3, por e fituar në tavolinë nga Interi. Gazeta Si, 7 mars 2020

Por rezultati i Juventus-Inter nuk homologohet menjëherë nga gjykatësi sportiv. Gjithçka varet nga ajo që ka ndodhur para fillimit të ndeshjes, kur një grup tifozësh juventinë sulmojnë autobusin që çon Interin në stadium. Nga sulmi me gurë i autobusit thyhen xhamat dhe Marini i Interit plagoset lehtë, por aq sa mjafton për të mos luajtur në këtë ndeshje. Për mendjet e djallëzuara, ky veprim bëhet qëllimisht që Interi të kërkojë fitoren në tavolinë. Dhe gjykatësi sportiv vendos pikërisht kështu, i jep fitoren në tavolinë ekipit zikaltër. Shpërthejnë polemikat e forta menjëherë, për t’u shuar në ndonjë moment dhe për t’u ndezur sërish, si tani, para ndeshjes së titullit, që luhet ditën e diel në Torino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë