Në ndeshjen hapëse të javës së 15-të në Bundesligë, Bajern Mynih ka humbur ndaj Borusia Mënshegladbah, me rezultatin 3-2, duke vënë në rrezik kreun e renditjes. Bavarezët udhëhiqnin 0-2, por më pas gjithçka u përmbys nga skuadra vendëse me 3 gola. Lajpcigu, që ndeshet me Borusia Dortmundin, mund të marrë vendin e parë. Bajerni ka 33 pikë, kurse Lajpcigu 31.
Janë të njëjtat defekte për Bajernin, por këtë herë pak më të rënda. Levandovski me penallti dhe më pas Goretzka i dhanë Bajernit avantazhin e dyfishtë, por Borusia barazoi brenda pjesës së parë me 2 gola të Hofman dhe pastaj realizoi edhe golin e fitores me Neuhaus. Skuadra e trajnerit Flik tregoi se ka probleme të mëdha në lojën mbrojtëse.
Bavarezët kanë pësuar 24 gola në 15 javë, ndërsa Nojer nuk arrin ta mbajë portën të paprekur prej 10 ndeshjesh, e fundit në tetor ndaj Eintraht Frankfurtit. Diçka e tillë nuk i ka ndodhur kurrë më parë në karrierë dhe kjo do të thotë diçka… Flik luajti me skemën e zakonshme 4-2-3-1, pa Gnabrin dhe me Koman fillimisht në stol. Pas Levandovskit, përveç Mylerit, luajtën Douglas Kosta dhe Sane.
Borusia luajti mjaft mirë. Veçohen vertikalizimet e Stindl dhe Neuhaus, që shfrytëzuan shpejtësinë e Embolo dhe Hofman, të cilët vunë në vështirësi mbrojtjen e Bajernit. Flik tentoi të reagonte nga stoli, hodhi në fushë edhe Komanin, por Levandovski me shokë nuk bënë asgjë, madje vuajtën edhe në drejtim të dominimit territorial. Qarkullim topi i ngadaltë dhe lojë e lexueshme nga kundërshtari. Trajneri Flik duhet të ndërhyjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje