Futboll

Video/ Bajerni nuk i jep asnjë shans Lacios, Çelsi fiton edhe në kthim

Bajern Mynih dhe Çelsi plotësojnë 8-shen e skuadrave çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve. Kampionët në fuqi nuk i ka dhënë asnjë shans Lacios në “Allianz Arena”, duke fituar edhe ndeshjen e kthimit, 2-1. Për italianët kualifikimi ishte mision i pamundur kualifkimi, duke pasur parasysh humbjen 1-4 në ndeshjen e parë.

Trajneri Simone Inzagi hodhi në fushë nga minuta e parë sulmuesin kosovar Vedat Muriqi, i cili arriti të fitonte dyluftimet falë fizikut të tij, por shkaktoi penalltinë që solli zhbllokimin e rezultatit nga Levandovski. Muriqi pengoi Goretzkën në zonë dhe arbitri akordoi penallti për bavarezët. Sulmuesi kosovar u ndërrua në pjesën e dytë.

Bajerni dyfishoi me Çupo-Moting, ndërsa Lacio realizoi golin e flamurit me Parolon. Me eliminimin e Lacios, skuadrat italiane lajnë duart me Ligën e Kampionëve, duke vulosur një tjetër dështim. Më parë janë eliminuar edhe Juventusi dhe Atalanta, ndërsa Interi nuk ia doli të kalonte grupin.

Në çerekfinale ka kaluar edhe Çelsi, që e fitoi edhe ndeshjen e kthimit ndaj Atletiko Madrid, këtë herë 2-0. Ziesh dhe Emerson janë autorët e golave për skuadrën londineze, që po kalon një moment shumë të mirë. Për Atletikon e Simeones, tashmë mbetet vetëm kampionati. Tetë skuadrat e kualifikuara në çerekfinale të Ligës së Kampionëve janë: Bajern Mynih, Çelsi, Real Madrid, Mançester Siti, PSG, Liverpul, Borusia Dortmund dhe Porto.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë