Futboll

Video/ Barcelona zhgënjen pa Mesin, e mbyll keq 2020-ën

Barcelona nuk fiton dot as në shtëpi ndaj Eibarit pa Lionel Mesin, jashtë skuadre për këtë ndeshje. Katalanasit humbasin kështu një mundësi të artë për t’iu afruar kreut dhe e mbyllin vitin 2020 me një barazim zhgënjyes, 1-1. Mund të shkonte edhe më keq, pasi Eibari kaloi i pari në avantazh dhe mund të kishte bërë goditjen e madhe në “Camp Nou”.

Lojtarët e Barcelonës bënë shumë gabime, duke përfshirë edhe një penallti. Koeman i ka shpëtuar turpit, falë një goli të Dembelé, i vetmi që bëri diçka pozitive për katalanasit, edhe pse u aktivizua si zëvendësues. Trajneri holandez zgjodhi skemën me 3 mbrojtës, me Firpon anësor të majtë, në vend të Zhordi Albës të skualifikuar. Para syve të Mesit, që kishte një shqetësim të vogël në kavilje, në sulm Koeman aktivizoi Grizman, Pedri dhe Braithuejt.

Goli i Eibarit. Gazeta Si, 29 dhjetor 2020

Që në fillim u kuptua se do të ishte e vështirë për Barcelonën. Sulmuesi danez humbi një penallti pas 8 minutash, ndërsa në të 25-ën iu anulua një gol nga VAR-i për një pozicion jashtë loje milimetrik. Në pjesën e dytë u fut në fushë edhe Dembélé, pas 3 javësh në “bokse”. Francezi e ndryshoi lojën e Barcelonës, që krijoi disa raste për 10 minuta. Araujo gaboi fatalisht, duke humbur një top dhe Kike Garcia nuk fali, duke e komplikuar situatën për katalanasit, që gjithsesi barazuan me Dembelé.

https://streamable.com/dcti65
Goli i barazimit nga Barcelona. Gazeta Si, 29 dhjetor 2020

Barcelona sulmoi me shumë forca në fundin e ndeshjes, por pa pasur qartësinë për të gjetur golin e fitores. Në fushë u hodhën edhe Trinkao dhe Koutinjo, por nuk ishte e thënë që të shënohej. Koutinjo dhe Pedri shpërdoruan dy raste dhe në fund mbeti shija e hidhur e 2 pikëve të lëna. Mbyllja më e keqe që katalanasit mund t’i bënin 2020-ës. Barcelona është në vend të 6-të, me 25 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë