Futboll

Video/ Berat Gjimshiti mund dhe kalon Juventusin, Ismajli gjen golin

Ishte një pasdite mjaft pozitive për dy nga mbrojtësit titullarë të Kombëtares, Berat Gjimshitin dhe Ardian Ismajlin. Që të dy jo vetëm që ishin titullarë me skuadrat e tyre në Serinë A, por u bënë edhe protagonistë, Gjimshiti me lojën e shkëlqyer dhe Ismajli me gol.

Atalanta e Gjimshitit mundi 1-0 Juventusin dhe e parakaloi atë në klasifikim, duke i marrë vendin e tretë. Mbrojtësi kuqezi ishte një nga më të mirët në fushë për të dyja skuadrat dhe ka marrë vlerësim maksimal nga shtypi italian. Gjimshiti në një rast arriti ta shpëtonte portën nga një gol i sigurt, ndërkohë që edhe statistikat e tjera ishin në favor të tij.

Në një farë mënyre, Gjimshiti i ka bërë një nder edhe Elseid Hysajt, duke mundur Juventusin, pasi Napoli mund të përfitojë për vendin e katërt, që të çon në Ligën e Kampionëve. Ishte një tjetër paraqitje e shkëlqyer e mbrojtësit tonë në një ndeshje të madhe.

Ardian Ismajli ka shënuar golin e nderit për Specian në ndeshjen me Bolonjën, ku skuadra e tij u mund thellë, 4-1. Gjithsesi, paaraqitja e mbrojtësit të qendrës ishte pozitive. Kjo fundjavë rezultoi me fat edhe për disa kuqezinj të tjerë. Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami shënuan të shtunën për skuadrat e tyre në Francë dhe Itali. Të dy realizuan me gjuajtje nga jashtë zonës. Një gol të tillë ka shënuar edhe Kristi Qose në Çeki.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë