Futboll

Video/ Borusia në çerekfinale, Haland në historinë e Championsit me 20 gola

Borusia Dormund është skuadra e parë çerekfinaliste e Ligës së Kampionëve. Skuadra gjermane ka barazuar 2-2 në shtëpi, por është kualifikuar falë fitores 2-3 në fushën e Seviljes në ndeshjen e parë. Vendimtar ishte sërish sulmuesi Haland, autor i të dy golave për Borusian.

Edhe pse nuk i ka mbushur ende 21 vjeç, Erling Braut Haland është tashmë mes bomberëve më të mirë të botës dhe vazhdon të regjistrojë rekorde. Norvegjezi, me dopietën ndaj Seviljes, ka hyrë në historinë e Championsit, pasi është lojtari më i ri në moshë që shënon 20 gola dhe e ka bërë këtë në 14 ndeshje.

Haland ka thyer rekordin e Herri Kejn të Totenhemit, i cili i kishte shënuar 20 gola në 24 ndeshje të kompeticionit më të madh në rang klubesh. Norvegjezi shënoi për Borusian në minutën e 35-të, shënoi po ashtu edhe në të 48-ën, por goli u anulua nga VAR-i për një faull. Më pas ai shënoi me penallti, të cilën e gjuajti dy herë.

Herën e parë Bonou e priti gjuajtjen e tij, por Haland pati një tjetër mundësi, sepse VAR-i konstatoi se portieri i Seviljes kishte lëvizur para kohe. Gjuajtja e dytë ishte e saktë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë