Futboll

Video/ Brazili fiton mes polemikash, te Kolumbia ndihen të vjedhur

Sërish polemika, protesta dhe VAR-i protagonist, por Brazili vazhdon rrugëtimin e suksesshëm në Kupën e Amerikës. Seleçao ka marrë fitoren e tretë, pasi mundi Kolumbinë me përmbysje dhe siguroi vendin e parë në Grupin B. Kolumbianët janë revoltuar për aksionin e golit të barazimit të Brazilit, 12 minuta para fundit.

Në momentin e golit të shënuar nga Firmino ka një prekje të topit nga arbitri Pitana, i cili e ka vlerësuar të rregullt golin, pas një qëndrimi të gjatë para monitorit të VAR-it. Më pas, pas 9 minutash shtesë, Kasemiro realizoi edhe golin e fitores me kokë.

Trajneri Tite ka regjistruar një rekord personal me 10 fitore radhazi në ditën kur festonte 5 vjet në krye të kombëtares braziliane. Në shënjestër të Tites tani është rekordi absolut i fitoreve radhazi, që mbahet nga Zagallo, me 14 fitore.

Për t’u veçuar është goli i Kolumbisë. Kuadrado, i cili ka konfirmuar momentin e mirë që po kalon, krosoi në zonë nga e djathta, Diaz bën një veprim akrobatik dhe realizon një “golazo”. Kolumbia luajti me siguri, duke i krijuar probleme Brazilit, që goditi edhe shtyllën me Nejmar. Kolumbianët janë nervozuar edhe për ndonjë faull më tepër që arbitri Pitana ka dhënë për Brazilin, ndërsa pas ndeshjes ata kanë deklaruar se ndihen të vjedhur. Kjo humbje nuk e kompromenton gjithsesi kalimin e grupit nga Kolumbia.

Kolumbianët protestojnë tek arbitri. Gazeta Si, 24 qershor 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë