Një e shtunë për t’u kujtuar për gjithë jetën nga portieri i Lions FC, Luke Borean, i cili zbriti në fushë në mbrëmje pikërisht ditën e dasmës me bashkëshorten Ellen, që e ka edhe “kolege roli”, pasi edhe ajo është portiere.
Për pjesën më të madhe të njerëzve, mendimi i fundit që mund të kenë ditën e dasmës, është të luajnë futboll. Është ekzaktësisht kjo ndjesia që portieri i Lions FC në Australi, Luke Borean, duhej të përballonte të shtunën, kur luajti gjysmëfinalen e divizionit të dytë, pak orë pasi kishte thënë “Po”.
Çifti mbërriti në fushë me një Ferrari, Luke kishte veshur ende kostumin e ceremonisë, ndërsa bashkëshortja Ellen fustanin e nusërisë. Koincidenca e datës së dasmës me atë të ndeshje u ndikua nga pandemia. Kur Lions kaluan në fazën finale, pjesëtarët e stafit teknik menduan se nuk do ta kishin portierin e tyre, një nga pikat më të forta, 9 ndeshje pa pësuar gol.
Megjithatë, Borean dhe gjysma tjetër e tij vendosën t’i bënin dyja gjërat, dasmën dhe ndeshjen. Portier i sapo martuar gjatë ndeshjes bëri një pritje spektakolare pas një gjuajtjeje me kokë.
Trajneri i Lions, Darren Sime, tha se Borean ishte treguar i gatshëm të luante. “U detyrova t’i kërkoja konfirmim disa herë. Në stërvitjen e së martës kisha nevojë për të, sepse duhej të përgatisja portierin rezervë, Ryan Murphy. Ai ma tha: ‘Ah, mos u shqetëso.’ Klubi nuk do ta pengonte kurrë për dasmën, por ata zgjodhën ta bënin festën bashkë me ne. U jemi shumë mirënjohës”.

Trajneri ka treguar gjithashtu si pjesa tjetër e skuadrës u shtang, kur pa Luke që kishte ardhur për të luajtur: “Disa ngelën gojëhapur, sinqerisht. Folëm pak në dhomat e zhveshjes para ndeshjes dhe të gjithë e vlerësuan atë që bënë Luke dhe Ellen. Të gjithë kuptuam që duhej ta ngrinim nivelin e lojës atë mbrëmje”.
Nuk ishte ndoshta mënyra e duhur për të festuar ditën e damës, por Lions fituan 4-1 dhe u kualifikuan për në finale. Dhe ata që mendojnë se zonja Borean i sjell fat skuadrës, kanë të drejtë. Ajo është portiere e Souths United në kampionatin e femrave në Australi. Një histori gati e pabesueshme, histori e një kontinenti tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje