Futboll

Video/ Derbit i mungon vetëm goli, Partizani e Tirana “dëmtojnë” njëri-tjetrin

Rezultati 0-0 të jep përshtypjen se ishte derbi i frikës, por në fakt ishte e kundërta, me dy skuadrat që luajtën hapur dhe bënë gjithçka për fitoren. Goli nuk doli në dritë pavarësisht rasteve të shumta, dhe Partizani dhe Tirana kështu kanë “dëmtuar” njëri-tjetrin me pikët e lëna. Partizani, pas këtij barazimi, shkon në sfidën direkt me Teutën kryesuese me 3 pikë diferencë pas saj, çka e e bën domosdoshmëri fitoren e të kuqve në Durrës të hënën e ardhshme.

Tirana në krahun tjetër komplikon sërish shanset për të luajtur në Kupat e Europës. Bardheblutë, të pestët në renditje, janë 3 pikë prapa rivalëve të Laçit dhe Vllaznisë, megjithatë nuk i kanë humbur shpresat. Pozitiv është fakti që skuadra e Shehit ka disa javë që nuk humb.

Pjesa e parë e derbit ishte mjaft e luftuar, me të dyja skuadrat në kërkim të golit të aavntazhit. Jasir Asani është ndalur nga traversa, Çinarit i është anuluar një gol për pozicion jashtë loje, ndërsa Danso i Tiranës ka pasur pretendime dy herë për penallti, për prekje të topit me dorë nga mbrojtësit e Partizanit. Taulant Seferi ka shpërdoruar raste edhe në këtë derbi.

Edhe në 45 minutat e dyta loja ishte e hapur, me raste në portat respektive. Trajneri Orges Shehi hodhi në fushë Giamfi në vend të Torasës, kurse Ilir Daja aktivizoi në minutat e fundit Ferhan Hasanin dhe Tedi Carën. Fundi i ndeshjes ishte i gjithi për Partizani, që krijoi 3-4 raste, por pa mundur të finalizojë me Asanin dhe Lukas Kardozon.

Partizani-Tirana 0-0
Partizani: Hoxha, Mala, Bitri, Belica, Hakaj, Broja, Murataj, Bardhi, Asani, Çinari, Stenio Zhunior. Trajner: Ilir Daja
Tirana: Bekaj, Vangjeli, Najdovski, Hoxhallari; Toshevski, Batha, Çelhaka, Danso, Ismajlgeci, Torasa, Seferi. Trajner: Orges Shehi
Gjyqtar: Eldorjan Hamiti

Superiore, java e 33-të
Kastrioti-Teuta 1-2
Laçi-Skënderbeu 0-0
Bylis-Vllaznia 0-1
Apolonia-Kukësi 0-3
Partizani-Tirana 0-0

Renditja e Superiores pas javës së 33-të. Gazeta Si, 13 maj 2021


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë