Futboll

Video/ Diferenca të mëdha, Teuta i përulet Granadës dhe e mbyll me Europën

Ka përfunduar me rezultatin 0-4 ndeshja e Teutës në turin e dytë të Ligës së Europës. Përballë Granadës, ekipit që bëri surprizën në kampionatin spanjoll sezonin e shkuar, duke shkuar për herë të parë në Kupat e Europës, durrsakët u treguan krejtësisht të pafuqishëm.

Diferencat u panë që në fillim, kur brenda 10 minutash Granada realizoi dy gola, të parin me Soldadon dhe të dytin me brazilianin Kendi. Në minutën e 31-të Herrera shënoi edhe të tretin dhe më pas ndeshja nuk kishte më histori. Gjithçka ishte nën kontrollin e spanjollëve, të cilët e hoqën “këmbën nga gazi” dhe në pjesën e dytë shënuan vetëm një gol tjetër po me Herrerën.

Duke parë nivelin e Teutës, trajneri i Granadës uli në stol dy titullarë që në fillim të pjesës së dytë dhe më shumë u kujdes që të tijtë të administronin lojën. Teuta e mbylli ndeshjen me 10 vetë, pasi Fabian Beqja, 10 minuta para fundit, mori kartonin e dytë të verdhë. Durrsakët nuk kishin asnjë shans në këtë përballje dhe tani thjesht duhet të kënaqen me kalimin e një turi në Ligën e Europës.

https://youtu.be/y12UIgTsVpk
Golat e Granadës ndaj Teutës. Gazeta Si, 17 shtator 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë