Futboll

Video/ Festival golash, Vllaznia dhe Tirana e nisin me “marsh të pestë”

Shpërthejnë golat që në jëvën e parë të Abissnet Superiores. Në dy ndeshjet e sotme janë shënuar 14 gola, ndoshta si kurrë më parë. Plot 8 gola u shënuan në Laç, ku Vllaznia fitoi 3-5, dhe 6 të tjerë në kryeqytet, ku Tirana mundi 4-2 Skënderbeun.

Në “Selman Stërmasi” ishte vendimtare pjesa e dytë e ndeshjes, pasi e para u mbyll 1-1, me gola të Behireçe dhe Zhan Viktor. Sapo nisi fraksioni i dytë, kapiteni i Skënderbeut, Vangjel Zguro, u ndëshkua me karton të kuq dhe më pas gjithçka u bë më e lehtë për skuadrën e Shehit. Majkëll Ngo realizoi dy herë në portën korçare, kurse golin tjetër e shënoi Limaj. Për miqtë shkurtoi Mensah në fund, pas një dhurate të Likës.

Ndryshe nga ndeshja në Tiranë, ku loja pati sens unik, në Laç gara ishte e hapur deri në momentin e fundit. Vllaznia i bëri një nisje shumë të mirë ndeshjes, shënoi me Latifin me penallti e më pas dyfishoi me Da Silvën, por laçianët baraspeshuan gjithçka me dy gola të Zarubicës. Pa u mbyllur pjesa e parë, shkodranët e panë veten sërish në avantazh, pas golit të Aralicës, por sërish u barazuan shpejt, këtë herë nga Lushkja.

Kapiteni Erdenis Gurisha kaloi për herë të katërt në avantazh Vllazninë sapo nisi pjesa e dytë. Laçi bëri të gjitha përpjekjet për të barazuar, por nuk ia doli. Në kohën shtesë u ndëshkua edhe me golin e pestë nga braziliani Kaina. Një fitore e bukur për Vllazninë, me 5 gola dhe në një fushë shumë të vështirë si ajo e Laçit.

Abissnet Superiore, java e parë
Sot
Tirana-Skënderbeu 4-2
Laçi-Vllaznia 3-5
Dje
Teuta-Partizani 1-0
Nesër
Kastrioti-Dinamo
Egnatia-Kukësi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë