Tani e tutje Federata Shqiptare e Futbollit do të ketë një zyrë për zbulimin e talenteve edhe në Preshevë. Nga kjo krahinë ka dalë mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, si dhe futbollistja e Kombëtares së femrave në futboll, Mimoza Hamidi. Përfaqësues të FSHF-së, të kryesuar nga Sulejman Mema dhe Sulejman Demollari, kanë kryer një vizitë në Preshevë, ku janë takuar me drejtuesit e ekipit të Luginës. Ata kanë inauguruar edhe hapjen e zyrës së talenteve, që do të drejtohet nga Nagip Jakupi.
“E kishim obligim për të ardhur në Preshevë, një detyrim që FSHF dhe presidenti Duka e kishin në vëmendje të veçantë, jo për këtë donacion simbolik, por për të nxitur këtë krahinë që ka nxjerrë dy vlera të mëdha të futbollit shqiptar, si Berat Gjimshiti dhe Mimoza Hamidi. Kërkojmë që edhe kjo zonë të stimulohet për të promovuar elementët e rinj. Nismëtari ka qenë zoti Nagip Jakupi, i cili do të jetë skauti zyrtar i FSHF-së në Preshevë”, – u shpreh Mema.
“Është një ditë me emocione për ne që kemi ardhur këtu. Mbështetja do të vazhdojë nga FSHF-ja që komuniteti shqiptar të ndihet mirë, të ndihet pranë futbollit dhe pranë federatës tone” – theksoi Demollari. Mjaft entuziast për bahskëpunimin u shpreh edhe Nagip Jakupi, drejtuesi i zyrës së talenteve në Preshevë: “I falënderoj të gjithë që sot zyrtarisht për herë të parë në historinë e futbollit të Preshevës ka një bashkëpunim me FSHF-në. Falënderoj presidentin Armand Duka, i cili ka besuar tek unë që të jem unë skauti i Kombëtares kuqezi për Luginën e Preshevës”.
Delegacioni i FSHF-së ka zhvilluar një takim edhe me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila shprehu kënaqësinë për vëmendjen e Federatës së Futbollit për Luginën e Preshevës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje