Futboll

Video/ Gjimshiti siguron Championsin, Juventusi mposht Interin dhe shpreson

Për të tretin vit radhazi, Atalanta e Berat Gjimshitit ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Bergamaskët, pas fitores 3-4 në fushën e Xhenoas, janë skuadra e dytë që e sigurojnë matematikisht këtë kompeticion, pas Interit kampion. Ata mbajnë vendin e dytë, në kuotën e 78 pikëve, kur ka mbetur edhe java e fundit e kampionatit për t’u luajtur.

Mbrojtësi i Kombëtares ka zhvilluar një sezon të një niveli të lartë, por në këtë ndeshje ka bërë disa gabime dhe është ndëshkuar edhe me karton të verdhë. Gjimshiti gaboi në rastin e golit të parë të Xhenoas, si dhe në ndonjë moment tjetër. Shtypi italian e ka vlerësuar me notën 5, por e ka justifikuar me faktin se lejohet edhe ndonjë paraqitje e dobët në një kampionat kaq të gjatë. Vetë Gjimshiti ka kërkuar ndjesë për gabimet pas ndeshjes dhe i është gëzuar sigurimit të Championsit.

Juventusi ka mundur 3-2 Interin në Torino, në një ndeshje ku protagonist ishte kolumbiani Kudrado me një dygolësh, si dhe VAR-i. Kristiano Ronaldo shënoi golin e parë me një penallti, që u prit fillimisht nga portieri i Interit. Portugezi u zëvendësua në pjesën e dytë nga trajneri Pirlo, duke qenë se sërish paraqitja e tij ishte e dobët.
Lukaku barazoi për Interin po me penallti, ndërsa në shtesën e pjesës së parë Kuadrado riktheu Juventusin në avantazh.

Për më shumë se gjysmë ore lojë bardhezinjtë luajtën me 10 vetë, sepse Bentankur u ndëshkua me karton të kuq. Një autogol i Kielinit solli barazimin e përkohshëm dhe më pas Kuadrado, me një tjetër penallti të dhënë nga VAR-i, shënoi golin e fitores për Juventusin.

Me këtë fitore Juventusi do të jetë në vend të katërt të paktën për një natë. Skuadra e Pirlos ka 75 pikë, po aq sa Milani që nesër luan më Kaljarin, ndërsa Napoli i Hysajt, me 1 pikë më pak, do të luajë ndaj Fiorentinës në transfertë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për Napolin, që nëse fiton, largon sërish Juventusin nga 4-shja e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë