Futboll

Video/ Hernandez mban Milanin në “parajsë”, Interi nuk i ndahet

Milani arrin me shpirt ndër dhëmbë të mbajë prapa Interin. Teo Hernandez është sërish “heroi” i kuqezinjve. Një gol i tij në shtesë i ka dhënë fitoren skuadrës së Piolit ndaj Lacios, që ka bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke rikeperuar disavantazhin e dy golave të pësuar që në fillim. Milani udhëheq renditjen pas javës së 14–të me 34 pikë, i ndjekur nga Interi me 33. Në vend të 3-të tashmë është Roma, me 27 pikë.

Fillimi i ndeshjes ishte ashtu siç Milani e donte. Brenda 17 minutash, kuqezinjtë realizuan 2 gola me Rebiç dhe Çalhanoglu me penallti. Lacio nuk u dorëzua dhe shkurtoi me Luis Alberton, i cili u tregua i vëmendshëm në momentin e penalltisë së humbur nga Imobile. Ky i fundit arriti të barazonte shifrat në pjesën e dytë dhe kur dukej se çdo gjë do të mbyllej në barazim, Teo Hernandez me kokë e ka çuar Milanin në “parajsë”, duke shënuar golin e fitores.

https://streamable.com/vkj4f8
Goli i fitores për Milanin nga Teo Hernandez. Gazeta Si, 23 dhjetor 2020

Skuadra e Antonio Kontes ka bërë “mrekullinë e shtatë”. Ajo zbriti e para në fushë, fitoi 1-2 ndaj Veronës në transfertë dhe më pas priti me qetësi rezultatin e Milanit. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Lautaro Martinez e kaloi Interin në avantazh, për Veronën barazoi Iliç dhe më pas goli vendimtar për zikaltrit erdhi nga mbrojtësi sllovak, Shkriniar.

https://streamable.com/sluwc0
Golat e ndeshjes Verona-Inter, 1-2. Gazeta Si, 23 dhjetor 2020

Nga futbollistët e Kombëtares, titullarë i nisin ndeshjet Berat Gjimshiti tek Atalanta, Marash Kumbulla te Roma dhe Elseid Hysaj te Napoli, por vetëm i pari qëndroi në fushë deri në fund. Kumbulla u zëvendësua në pjesën e dytë në fitoren 3-1 të Romës ndaj Kaljarit. Edhe Hysaj, i cili rikthehej në formacion, u zëvendësua në ndeshjen ku Napoli barazoi me shumë vështirësi në fushën e vet ndaj Torinos. Tomas Strakosha dhe Ardian Ismajli qëndruan në stol gjatë gjithë kohës. Vedat Muriqi luajti më shumë se një pjesë loje për Lacion, por ishte lojtari më i dobët në fushë.

Seria A, java e 14-të
Verona-Inter 1-2
Milan-Lacio 3-2
Roma-Kaljari 3-2
Bolonja-Atalanta 2-2
Napoli-Torino 1-1
Sampdoria-Sasuolo 2-3
Specia-Xhenoa 1-2
Udineze-Benevento 0-2


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë