Sido që të shkojë ndeshja me Juventusin në mbrëmje, Milani do të mbetet i pari në Serinë A edhe pas javës së 16-të. Një “nder” ia ka bërë Sampdoria, që ka mundur 2-1 Interin e vendit të dytë. Zikaltërit ndalen pas 8 fitoreve radhazi në kampionat dhe në mbrëmje janë të detyruar të bëjnë “tifo” për Juventusin.
Konte e nisi ndeshjen me Romelu Lukakun në stol, pasi belgu vinte nga një dëmtim. Aleksis Sançez kishte shansin t’i jepte sfidës një drejtim tjetër, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Nuk bëri të njëjtin gabim Kandreva, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij, ashtu si Keita Balde, që dyfishoi shifrat brenda pjesës së parë. Në të dytën De Vrij rihapi ndeshjen me një gol me kokë, por vetëm kaq, sepse pavarësisht përpjekjeve dhe ndërrimeve, Interi nuk mundi të barazonte.
Ka fituar pa probleme Roma e vendit të tretë në fushën e Krotones. Borja Majoral dy herë dhe Mkhitarjan realizuan për skuadrën e Marash Kumbullës, i cili u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë. Berat Gjimshiti, mbrojtësi tjetër kuqezi, si gjithmonë, ishte titullar në fitoren 3-0 të Atalantës ndaj Parmës.

Ka rezultuar efikas te Lacio aktivizimi i portierit Tomas Strakosha nga minuta e parë, pasi skuadra e tij fitoi 2-1 ndaj Fiorentinës. Strakosha, i cili rikthehej pas disa javësh, pësoi një gol në fundin e ndeshjes me penallti. Një fitore shumë e rëndësishme, që i jep sadopak qetësi Lacios, ku kohët e fundit marrëdhëniet mes presidentit Lotito dhe drejtorit sportiv Igli Tare kanë qenë mjaft të acaruara.
Seria A, java e 16-të
Sot
Kaljari-Benevento 1-2
Atalanta-Parma 3-0
Bolonja-Udineze 2-2
Krotone-Roma 1-3
Lacio-Fiorentina 2-1
Sampdoria-Inter 2-1
Sasuolo-Xhenoa 2-1
Torino-Verona 1-1
Napoli-Specia 1-2
Milan-Juventus 1-3
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje