Napoli ka shpartalluar 5-2 Lacion në ndeshjen përmbyllëse të javës së 32-të të Serisë A. Një fitore që e afron skuadrën e Hysajt 3 pikë me zonën Champions, ndërsa Lacio ndërpret serinë e 5 fitoreve radhazi në kampionat dhe minimizon shanset për në 4-shen e parë. Për Napolin shënuan Insinje 2 herë, Politano, Mertens dhe Osimhen.
Futbollisti kuqezi e nisi këtë ndeshje si titullar, në krahun e majtë të mbrojtjes. Hysaj ka bërë një ndeshje të mirë, madje ishte edhe protagonist në golin e tretë të Napolit, ku kombinoi bukur me Insinjen, para se ky i fundit të gjuante saktë drejt portës së Lacios, që mbrohej nga Reina, pasi Tomas Strakosha vazhdon të qëndrojë në stol. Kosovarët Amir Rrahmani i Napolit dhe Vedat Muriqi i Lacios u aktivizuan në pjesën e dytë të ndeshjes.
Atalanta e Berat Gjimshitit (90 minuta në fushë për mbrojtësin kuqezi), nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Romës, duke humbur kështu mundësinë për të marrë vendin e dytë. Bergamaskët realizuan të parët me Malinovskin, por çerek ore para fundit shifrat u barazuan nga Kristante.
Gjimshiti është vlerësuar me notën 7.3 për paraqitjen në këtë ndeshje, ku fitoi 7 nga 10 duelet në total. Një tjetër ndeshje në lartësinë e duhur për futbollistin kuqezi. Atalanta ka barazuar Juventusin në kuotën e 65 pikëve dhe i ka marrë atij vendin e tretë për momentin. Vendi i dytë është vetëm një pikë larg për Berat Gjimshitin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje