Futboll

Video/ Ismajli “bllokon” Interin kryesues, Juventusi u falet mbrojtësve

Interi arrin barazimin e dytë radhazi, këtë herë në fushën e Specias së Ismajlit. Mbrojtësi i Kombëtares ishte 90 minuta në fushë dhe bëri një paraqitje pozitive. Performanca e tij është gjithmonë e më e mirë me Specian. Zikaltrit afrohen më shumë me titullin, duke përfituar edhe nga gabimet e Milanit. Pas javës së 32-të të Serisë A, skuadra e Kontes është 10 pikë e shkëputur nga vendi i dytë (76-66) dhe titulli është vetëm çëshje kohe.

Ndeshja nisi keq për Interin, që u gjend në disavantazh shumë shpejt. Farias realizoi me një gjuatje nga jashtë zonës, falë edhe shpërqendrimit të portierit Handanoviç. Perisiç barazoi që në pjesën e parë për zikaltrit, të cilët ishin pa fat në këtë ndeshje, ku goditën dy herë shtyllën me Lautaro Martinez, u anuluan dy gola për pozicion jashtë loje dhe Lukaku humbi një rast të pastër.

Milani, që zbriti në fushë para të tjerëve, humbi në fushën e tij me Sasuolon, 1-2. Çalhanoglu realizoi një gol të bukur, duke e kaluar Milanin në avantazh, por miqtë përmbysën gjithçka me një dopietë të Raspadorit, i aktivizuar si zëvendësues. Tashmë kuqezinjtë kanë vetëm 1 pikë pas Juventusin e vendit të tretë.

Bardhezinjtë mundën 3-1 Parmën në një ndeshje që e nisën në disavantazh, por reaguan në mënyrën më të mirë. Golat për skuadrën e Pirlos u shënuan nga mbrojtësit, dy nga braziliani Aleks Sando dhe një nga De Ligt. Ishte reagimi i duhur nga Juventusi pas humbjes me Atalantën. Kjo e fundit mund të parakalojë si Juventusin, ashtu edhe Milanin, nëse fiton të enjten në fushën e Romës.

Seria A, java e 32-të
Milan-Sasuolo 1-2
Bolonja-Torino 1-1
Krotone-Sampdoria 0-1
Xhenoa-Benevento 2-2
Juventus-Parma 3-1
Specia-Inter 1-1
Udineze-Kaljari 0-1
Të enjten
Roma-Atalanta
Napoli-Lacio


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë