Itali spektakolare, Itali që fluturon, por ndoshta do të ishte më mirë të fluturonte ulët për të mos krijuar iluzione të tepërta. Në Bolonja skuadra e Roberto Mançinit ka mundur 4-0 Çekinë, që nuk është ndër më të fortat e Europianit, por është një finaliste. Italia luajti si të ishte dy apo tre kategori më lart, e udhëhequr nga Insinje në versionin fenomen. Imobile, Barela, Insinje dhe Berardi janë autorët e golave në ndeshjen numër 27 pa humbje, e 8-ta pa pësuar gol.
Kanë bindur “axurrët” në ndeshjen e fundit miqësore para debutimit në Europian dhe me shumë mundësi skuadra anti-Turqi do të jetë kjo, me Berardin mesfushor të djathtë, Imobilen qendërsulmues dhe Lokatelin në vend të Verratit. Mançini ka bërë provën gjenerale, duke mos kursyer as Zhorzhinjon që vinte pas finales së Championsit.
Pas një fillimi të mirë të çekëve, Italia tregoi superioritetin e saj. Pjesa e parë u mbyll 2-0, por rezultati mund të ishte më i thellë. Realizuan Imobile dhe Barela, pas një devijimi të Boril, ndërsa Insinje bëri gjithçka mirë, përveç gjuajtjes. Por ishte vetëm cëcshtje kohe goli i tij.
Pjesa e dytë ishte më zbavitëse dhe Insinje trefishoi, pas një pasimi të Imobiles. Më pas shënoi edhe Berardi. Trajneri Mançini aktivizoi edhe Emersonin, Açerbin, Kristanten, Kiezën dhe Raspadorin e Toloin. Në fund u bind se skuadrën e ka gati.
Në ndeshjet e tjera, Spanja dhe Portugalia barazuan pa gola në Madrid, duke mos dëmtuar njëra-tjetrën. Hungaria, kundërshtari ynë në grup, mundi 1-0 Qipron, ndërsa Kosova fitoi 2-1 ndaj Maltës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje