Ka përfunduar faza në grupe edhe për Ligën e Europës, ku thuajse të gjitha skuadrat e mëdha janë kualifikuar. Tri skuadrat italiane, Milani, Roma dhe Napoli, e kanë mbyllur këtë fazë në vend të parë në grupet respektive. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe anglezët e Arsenalit, Totenhemit dhe Leiçesterit, madje “topçinjtë” i kanë fituar të gjitha ndeshjet.
Milani ka fituar në Çeki ndaj Spartës së Pragës falë një goli të norvegjezit Hauge. Në këtë ndeshje kuqezinjtë luajtën me shumë futbollistë të stolit, ku mes titullarëve ishin edhe Kolombo dhe Maldini. Milani grumbulloi 13 pikë në 6 ndeshje, duke zënë vendin e parë, i ndihmuar edhe nga humbja e Lilës ndaj Selltikut.
Napolit i mjaftoi një barazim 1-1 ndaj Real Sociedadit në stadiumin që tashmë ka marrë emrin “Diego Armando Maradona”, për të ruajtur vendin e parë. Hysaj mungoi, pasi ka dalë sërish pozitiv me Covid-19, së bashku me Rrahmanin. Roma është mundur 3-1 në Bullgari nga CSKA-ja e Sofjes, por sërish ka ruajtur vendin e parë. Marash Kumbulla luajti 45 minutat e para në këtë ndeshje, pais vjen nga një periudhë pa stërvitje.

AEK–u kishte sot në fushë shqiptarin Mario Mitaj. Ai luajti 90 minuta në transferetën e Leiçesterit, ku grekët humbën 2-0. Futbollisti kuqezi gjithsesi ka fituar përvojë me ekipin e parë dhe besimi i trajnerit Karrera tregon se ai ka vlera. Ndër skuadrat me emër që kanë mbetur jashtë, janë Fejnordi dhe CSKA-ja e Moskës në Grupin K. Makabi Tel-Aviv, Antverp, Volfsberger dhe Sllavia e Pragës janë surprizat.
Skuadrat e kualifikuara janë: Roma, Jang Bojs, Milan, Lilë, Napoli, Real Sociedad, Dinamo Zagreb, Volfsberger, Totenhem, Antverp, Arsenal, Molde, Hofenheim, Crvena Zvezda, Vilareal, Makabi Tel-Aviv, Leiçester, Braga, PSV, Granada, Rejnxhërs, Benfika, Bajer Leverkusen, Sllavia e Pragës. Këtyre skuadrave do t’u bashkohen edhe 8 vendet e treta në grupet e Ligës së Kampionëve për të plotësuar 32-shen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje