Futboll

Video/ Juventusi trullos Barcelonën dhe i merr kreun, Mançesteri jashtë

Kur pritej që e gjithë vëmendja të përqendrohej në “Camp Nou”, ku ndesheshin dy superfuqi të futbollit, si Barcelona dhe Juventusi, “skenën” e rrëmbeu ngjarja e Parisit. Racizimi i arbitrit të katërt rumun bëri që PSG-Bashakshehir të ndërpritej shumë shpejt, pasi skuadrat vendosën të braktisnin fushë.

https://streamable.com/561ajk
Goli i parë i Ronaldos me penallti. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

Gjithsesi, fitorja e madhe e Juventusit, 0-3, nuk mund të sfumohet. Një fitore që i jep ekipit italian vendin e parë në Grupin G. Të dyja skuadrat e mbyllën me nga 15 pikë, por në ndeshjet direkte është më mirë Juventusi (fitoi 0-3, kurse spanjollët fituan 0-2). Barcelona, përtej kualifikimit për në turin tjetër, vazhdon rënien e lirë dhe nuk dihet ku do të ndalojë. Një krizë totale loje dhe rezultatesh, me gabime katastrofike në mbrojtje, ndërsa Mesi nuk mundi të shënonte.

https://streamable.com/s4uxib
Goli i Mekkenit. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

Kristiano Ronaldo realizoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, duke e fituar ai sfidën me yllin argjentinas në këtë mbrëmje. Për Juventusin realizoi edhe Mekkeni me një veprim të bukur akrobatik, pas krosit të Kuadrados. Bardhezinjtë shënuan edhe një gol të katërt me Bonuçin, por që u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Ferencvaroshi i Uzunit u mund 1-0 në Kiev, ku sulmuesi beratas luajti 70 minuta.

https://streamable.com/43r0so
Penalltia e dytë për Juventusin, e realizuar nga Ronaldo. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

Një humbje të rëndë ka pasuar edhe Mançester Junajtid në fushën e Lajpcigut, që ka marrë kryesimin në Grupin H. Me këtë humbje gjigantët anglezë mbeten jashtë Ligës së Kampionëve. PSG-së do t’i mjaftojë edhe një barazim në ndeshjen me Bashakshehirin, kur ajo të luhet pas ndërprerjes së sotme.

Në Grupin F janë kualifikuar Borusia Dortmund dhe Lacio. Skuadrës së Strakoshës, edhe këtë herë në stol, i duhej një barazim për t’u kualifikuar dhe atë rezultat mori ndaj Bryzhit. Por fundi ishte dramatik, sepse belgët, edhe pse me një lojtar më pak, jo vetëm që arritën të barazonin, por fati u mohoi kualifikimin, pasi goditën traversën në kohën shtesë. Lacio pas shumë vitesh shkon në 1/8-at e Ligës së Kampionëve. Çelsi dhe Sevilja në Grupin E ishin kualifikuar më parë, anglezët siguruan vendin e parë edhe me barazim.

Ndeshjet e fundit në grupe
Lacio-Bryzh 2-2
Zenit-Borusia D. 1-2
Barcelona-Juventus 0-3
Çelsi-Krasnodar 1-1
Dinamo K-Ferencvarosh 1-0
PSG-Bashakshehir (e ndërprerë)
Lajpcig-Mançester J. 3-2
Renes-Sevilja 1-3


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë