Bota

Video/ Kabul, raketë në një shtëpi pranë aeroportit. Sulm amerikan kundër militantëve të ISIS-K

Një tjetër shpërthim i fortë u dëgjua në zonën e aeroportit të Kabulit pasditen e të dielës, duke shkaktuar të paktën 6 të vdekur dhe disa të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë.

Duket se një raketë goditi një shtëpi jo shumë larg aeroportit.  Mediat e huaja, kanë publikuar disa foto ku shihet tym dhe flakë afër aeroportit.

Dyshohet se bëhet fjalë për një sulm me raketë në një shtëpi, shumë pranë aeroportit ku të enjten u vranë më shumë se 170 persona. Presidenti amerikan Joe Biden kishte paralajmëruar se një sulm tjetër në aeroportin në Kabul.

Por nga ana e saj, agjencia prestigioze e lajmeve ‘Reuters”, raporton se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një sulm me raketë në Kabul”, duke cituar dy burime amerikane.

Në pamjet e sulmit amerikan, kishte një kamikaz të ISIS-K në një makinë që donte të godiste aeroportin e Kabulit. Një gjë e tillë u raportua edhe nga zëdhënësi i talebanëve, siç raportohet nga agjencia tjetër e lajmeve, “Associated Press”. Një gjë e tillë përforcohet edhe nga televizioni “Al Arabiya”, që citon një oficer të policisë lokale.

Pentagoni gjithashtu konfirmon operacionin, duke deklaruar: “Forcat amerikane kryen një sulm vetëmbrojtës kundër një automjeti në Kabul, duke eleminuar një kërcënim të afërt në aeroport. Ne jemi të sigurt se objektivi është goditur”.

Komanda ushtarake amerikane shton se “shpërthime të rëndësishme dytësore nga automjeti treguan praninë e një sasie të madhe të materialit shpërthyes” dhe thekson se aktualisht nuk ka indikacione për viktima civile.

Nuk është e qartë për momentin nëse operacioni amerikan lidhet me sulmin me raketa në një ndërtesë pranë aeroportit, i cili shkaktoi një shpërthim të madh me viktima dhe të plagosur.

Shtetet e Bashkuara i kishin paralajmëruar qytetarët e tyre për një “kërcënim specifik dhe të besueshëm pranë aeroportit”. Prandaj, amerikanëve u kërkohet të mos shkojnë në aeroportin në kryeqytetin afgan: kushdo pranë hyrjeve të aeroportit duhet t’i lërë ata menjëherë, thotë ambasada amerikane në Kabul.

Ndërkohë, Franca dhe Britania do të paraqesin një rezolutë në një takim urgjent të OKB-së që do të mbahet të hënën, ku do të propozojnë ngritjen e një zone të sigurt në Kabul për të mbrojtur njerëzit që përpiqen të largohen nga Afganistani. Ky lajm është bërë me dije nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Propozimi ynë i rezolutës synon të përcaktojë një zonë të sigurt në Kabul, nën kontrollin e OKB -së, e cila do të lejojë që operacionet e evakuimit të vazhdojnë të vazhdojnë,” tha Macron për gazetën franceze “Le Journal du Dimanche” (JDD).

Gjatë vizitës së tij në Mosul të Irakut, Macron ka deklaruar për gazetarët se shpreson që një propozim i tillë të mbështetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë