Futboll

Video/ Korrea mahnit Interin, futet nga stoli dhe i jep fitoren me dy gola

Jo më kot trajneri Simone Inzagi e kërkoi me ngulm. Joakin Korrea ka debutuar me dopietë me fanellën e Interit, që e bleu argjentinasin nga Lacio vetëm dy ditë më parë. Ai e nisi nga stoli ndeshjen me Veronën në transfertë, u aktivizua në minutën e 74-t, kur rezultati ishte 1-1, dhe u bë protagonist i fitores së dytë të Interit në po kaq ndeshje kampionati.

Lautaro Martinez barazoi shifrat në fillim të pjesës së dytë, duke dërguar me kokë në rrjetë një top të prekur më parë nga Xheko. Në pjesën e parë Iliç kishte kaluar Veronën në avantazh, duke përfituar nga një gafë e portierit Handanoviç, që i dhuroi topin.

Ka përfunduar kështu 1-3 sfida e “Bentegodit” mes Veronës dhe Interit, që ka ngritur siparin e javës së dytë të Serisë A. Interi reagoi mirë pas disavantazhit, krijoi raste dhe përmbysi gjithçka. Korrea nuk mund ta kishte imagjinuar një debutim më të mirë me skuadrën e re.

Argjentinasi shënoi golin e parë me kokë, pas një krosi të Darmian nga e djathta, ndërsa në shtesë realizoi golin e tretë për Interin dhe të dytin personal me një të majtë të fuqishme nga jashtë zonës. Skuadra e Inzagit kryeson me pikë të plota pas dy ndeshjesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë