Një vit më parë lamtumira u shmang në momentin e fundit, këtë herë ishte e pamundur dhe largimi është një realitet. Ka përfunduar një epokë madhështore: ajo e Lionel Mesit te Barcelona. Argjentinasi ka dalë sot në një konferencë shtypi, ku mes lotësh ka përshëndetur tifozët katalanas dhe ka dhënë versionin e tij për largimin.
“Nuk jam gati për këtë lamtumirë, por jam i detyruar ta bëj për shkak të rregullave të vendosura. Doja të qëndroja, por nuk mumdëm”, – ka thënë fillimisht Mesi. Më pas ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve shumë i emocionuar. Data 8 gusht është historike për të dhe Barcelonën.
“Ka shumë ditë që mendoj se çfarë do të them, por është vërtet e vështirë për mua të gjej fjalët pas një jete të kaluar këtu. Nuk është siç e kisha menduar. Erdha këtu 21 vite më parë dhe largohem tani që jam burrë, kam një grua dhe tre fëmijë. U kam premtuar atyre se do të kthehem.
Shoh këtu shokët e mi, me ta jam rritur te ky klub që më ka dhënë shumë, më ka përmirësuar dhe më ka bërë ky që jam sot. Për këtë fanellë kam dhënë gjithçka. Nuk e kam imagjinuar kurrë një lamtumirë të tillë. Do doja ta bëja në fushë, të përshëndesja tifozët dhe të ndjeja dashurinë e tyre. Kam dhënë gjithçka për Barcelonën, që ky klub të bëhej më i miri, më i madhi në botë”, – ka thënë argjentinasi.
I pyetur për momentin më të mirë te Barcelona, ai u përgjigj: “Shumë e vështirë të zgjedh një moment, kam kaluar shumë vite, pozitive dhe negative. Ndoshta do të zgjidhja debutimin, pra fillimin me Barcelonën, kur ëndrra ime u bë realitet. Ajo që ka ardhur më pas ka qenë e mrekullueshme”.
Për arsyet e largimit, Mesi konfirmoi fjalët e presidentit Laporta dhe mohoi zërat për kërkesa të larta financiare nga aid he familja e tij: “E tha gjithçka presdienti. Kishim rënë dakord, por për shkak të rregullave të Ligës nuk mund të hidhej e zeza mbi të bardhë. Asgjë më shumë se kaq. Ishte gati gjithçka, por nuk mund të firmosnim. Bëra gjithçka që kisha mundësi, rinovimi nuk erdhi për çështje që lidhen me normat e Ligës. Kam dëgjuar shumë fjalë, por e ritheksoj se doja të qëndroja dhe bëmë gjithçka”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje