Futbolli europian ka ofruar sot disa sfida interesante, ku veçohet ajo mes Bajer Leverkusenit dhe Bajern Mynihut në Gjermani. Kanë fituar bavarezët 1-2 dhe kanë marrë kryesimin e Bundesligës, duke parakaluar pikërisht “aspirinat”. Bajerni udhëheq renditjen me 30 pikë pas 13 javësh, ndërsa Bajer Leverkusen ka 28.
Robert Levandovski, i saposhpallur “lojtari i vitit” nga FIFA, ishte “heroi” i bavarezëve. Patrik Shik kaloi ekipin vendës në avantazh. Më pas Leverkuesit iu anulua edhe një gol nga VAR-i. Levandovski barazoi në fundin e pjesës së parë, kurse në minutën e 3-të shtesë shënoi edhe golin e fitores, duke përfituar nga një gabim në mbrojtje i kundërshtarit. Polaku tregoi se e ka merituar plotësisht vlerësimin nga FIFA.
Në Spanjë vlen të theksohet goli i shënuar nga Lionel Mesi, që tashmë ka barazuar mitin Pele. Argjentinasi ka shënuar 643 gola me fanellën e të njëjtit klub, Barcelonës, po aq sa braziliani ka realizuar me fanellën e Santosit. Gjithsesi, katalanasit nuk kanë mundur të fitojnë ndaj Valencia. Kjo ndeshje përfundoi në barazim 2-2 dhe Barcelona mbetet shumë prapa kreut, në vend të 5-të me 21 pikë. La Ligën e kryeson Atletiko Madrid me 29 pikë.
Liverpuli duket se po kthehet në formën më të mirë dhe sot ka shembur Krisal Pallasin, duke fituar 0-7 në fushën e tij. Një fitore e thellë, që e shkëput skuadrën e trajnerit Jurgen Klop në krye të Premier Ligës me 31 pikë në 14 ndeshje. Shënuan të gjithë sulmuesit e Liverpulit, ndërsa Firmino dhe Salah ishin autorë të një dopiete. Vendin e dytë në Angli e ka marrë Evertoni i Ançelotit, që mundi 2-1 Arsenalin në krizë. Fitoi edhe Mançester Siti ndaj Sothemptonit 0-1.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje