Për herë të parë, Lulzim Basha hapi Facebook-un për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta të ndjekësve të tij. Për 60 minuta, kreu i Partisë Demokratike iu përgjigj pyetjeve që lidheshin me reformën zgjedhore, zgjedhjet e parakohshme e votimin elektronik, gjendjen e brendshme të Partisë Demokratike dhe programin ekonomik të saj, e deri tek premtimi për të amnistuar kamatëvonesat për shtresat në nevojë që janë përfshirë në skemën e pagesës me këste të pagesës së faturave të prapambetura të energjisë elektrike.
Basha tha se votimi elektronik është një prioritet i shtruar si pikë në tryezën e Këshillit Politik, i ngritur së bashku me socialistët si një strukturë ekstraparlamentare për hartimin e reformës zgjedhore. Por, kreu i PD-së thotë se mungon vullneti i mazhorancës.
“Nuk varet vetëm nga ne. Pala tjetër duhet të bjerë dakord po kështu dhe e dyta, pala tjetër duhet të kishte nisur prej kohësh hapat për ta blerë këtë sistem, për ta testuar këtë sistem”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati këmbënguli tek kërkesa për Qeveri tranzitore që do të organizojë zgjedhjet e parakohshmë pas miratimit të reformës zgjedhore.
“Së pari, vendit t’i jepet mundësia, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të zgjedhë një parlament legjitim, që të jetë produkt i votës së qytetarëve. Të jenë qytetarët ata që do të vendosin për cilën parti, për cilin program, për cilët deputetë do të votojnë. Së dyti, që ky proces të garantohet, rregullat e lojës të jenë të barabarta për të gjithë. Së treti, që këto rregulla loje të zbatohen, të kemi një arbitër të paanshëm dhe jo një qeveri, e cila, për hir të pushtetit apo aferave, në të cilat është zhytur, është gati të shkatërrojë procesin zgjedhor, vetëm e vetëm të mbajë pushtetin”, u shpreh ai.
Basha tha se dera e Partisë Demokratike mbetet e hapur për ata që duan të kontribuojnë në kauzën e opozitës dhe foli për një filtër me tre hapa për përzgjedhjen dhe emërimin e kandidatëve për deputetë.
“Kemi një proces filtri të mirëfilltë për të garantuar që cilësia e kandidatëve tanë të jetë më e lartë e mundshme. Si sa i përket integritetit, pra të jenë njerëz të ndershëm, natyrisht pa rekorde kriminale, por edhe njerëz të pakorruptuar dhe të jenë njerëz që të besojnë në vlerat e Partisë Demokratike, vlerat konservatore europiane: besimi në Zot, në familje, në atdhe dhe të ndajnë bashkë me këto vlera edhe programin tonë politik. Hapi i parë i parë aplikimi për kandidim. Hapi i dytë testimi në tre fusha: integriteti, vlerat be Partisë Demokratike, përgatitja për të kryer detyra të larta. E treta që është e një rëndësie themelore, të jenë kandidatë që përfaqësojnë me dinjitet qytetarët shqiptarë”, deklaroi ai.
“Bëhet fjalë për një pagesë që varion 15-20 -30 mijë lekë në muaj dhe që siç thua, godet pjesën më të varfër, më të pamundur të shqiptarëve. Po patjetër që do të ketë zgjidhje për këtë dhe ua them unë sesi. Ekipi ynë ka propozuar që për familjet që janë nën minimumin jetik kjo kamatëvonesë të amnistohet masivisht, sepse në fund të fundit e kemi parë se si kjo shumë, që tamam është shumë gjaku që nxirret nga këto familje, po shkon jo për përmirësimin e parametrave të KESH-it apo OSHEE-së, por po shkon për luksin dhe hajdutërinë e zyrtarëve të korruptuar të OSHEE-së, të KESH-it dhe qeverisë”, deklaroi Basha në lidhje me pyetjen për të amnistuar kamatëvonesat e faturave të prapambetura të energjisë elektrike për familjet në nevojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje