Mision i përmbushur: për herë të parë në historinë e tij Mançester Siti shkon në finale të Ligës së Kampionëve. E bën këtë 51 vjet pas finales së fundit në Europë (në 1970-ën ka luajtur dhe fituar Kupën e Kupave). Skuadra e Guardiolës është kualifikuar me meritë të plotë, duke e mundur PSG-në në të dyja gjysmëfinalet. Janë 11 fitore dhe 1 barazim për qytetarët në këtë komepticion, me 25 gola të shënuar dhe 4 të pësuar. Pep Guardiola nuk humb prej 14 ndeshjesh dhe më 29 maj në Stamboll synon trofeun në finale, ndaj njërit mes Çelsit dhe Realit.
Fitores 2-0 të Mançester Sitit i ka paraprirë një stuhi breshëri, që zbardhi fushën e “Etihad Stadium”. Mbape nuk ia doli dhe qëndroi në stol, duke i lënë vendin Ikardit, në mbështetje të të cilit ishin Di Maria dhe Nejmar. Guardiola hedh Fernandinjon titullar në mesfushë, kurse në sulm luajnë Mahrez, Bernardo Silva dhe Foden. Pas 5 minutash PSG fiton një penallti, por VAR-i tregon se Zinçenko e ka prekur topin me shpatull dhe arbitri ndryshon vendimin. Francezët janë kurajozë në fillim dhe Siti mbrohet, për të goditur pas 11 minutash me Mahrez.
PSG reagon dhe Markuinjos godet traversën, ndërsa Di Maria nuk gjen kuadratin e portës së boshatisur. Më pas për francezët bëhet më e vështirë të gjejnë hapësira. Në pjesën e dytë ata nuk kanë çfarë të humbin dhe hidhen në sulm, duke rrezikuar prapa. Foden vë dy herë në provë Navasin në pak sekonda. Ndeshja është e gjallë dhe Poketino bën lëvizjet e para nga stoli, por llogaritë mbyllen në minutën e 63-të, kur Foden kombinon me De Bryjne dhe kroson për Mahrez, i cili mposht Navasin.
Gjatë 20 minutave të fundit PAG-ja luan me 10 vetë, pasi Di Maria ndëshkohet me karton të kuq, pas një faulli reagimi ndaj Fernandinjos. Anglezët shkojnë në finale dhe tashmë presin të mësojnë emrin e kundërshtarit nga sfida mes Çelsit dhe Real Madridit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje