Një mbrëmje mbretërore për Lionel Mesin, i cili kishte zgjedhur ndeshjen e parë si kampion i Amerikës para publikut të tij për të vendosur një rekord të ri. Një nga ata rekorde që e bëjnë edhe më madhështor kurrikulumin e tij si numri 1 i historisë së futbollit. Ai ka kaluar edhe mitikun Pelé në klasifikimin e veçantë të bomberëve amerikano-jugorë më profilikë në kombëtare.
“Pleshti” realizoi 3 gola ndaj Bolivisë, duke e afruar edhe më shumë Argjentinën me Katar 2022. Tashmë është ngjitur në kuotën e 79 golave me kombëtaren, 1 më shumë se “O Rei”.
Ndeshja ishte një monolog i të zotëve të shtëpisë, që e detyruan Bolivinë të mbyllej në 10 metrat e fundit. Mesi, pas disa rasteve të humbura, bëri një kryevepër në minutën e 14-të: tunel ndaj Hakuin dhe një e majtë e pakapshme për portierin kundërshtar. Më pas argjentinasve iu anulua një gol i Lautaro Martinezit për pozicion milimetrik jashtë loje.
Në minutën e 65-të Mesi dyfishoi pas një aksioni shumë të shpejtë me Lautaro Martinezin. Sapo barazoi rekordin e Pelésë në kuotën e 78 golave, Mesi vendosi ta mbyllte në mënyrën më të bukur ndeshjen dhe 1 minutë para fundit kompletoi mbrëmjen perfekte me golin e tretë, duke marrë ovacionet e 21 mijë të pranishmëve në stadiumin “Monumental”. Me ta Mesi festoi edhe Kupën e Amerikës që fitoi në “Maracana”.
“Është një arritje që e kërkonim prej kohësh dhe falë Zotit, ia kemi dalë. Kam besuar shumë, është një moment unik, – tha Mesi me sytë që i shkëlqenin. Të festoj këtu, bashkë me njerëzit e mi dhe familjen time, më bën të lumtur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje