Futboll

Video/ Milan ëndrrash në Torino, shtyp Juventusin dhe e largon nga Championsi

Milani bën gjithçka brenda një nate dhe tashmë shanset për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve janë të mëdha. Me fitoren 0-3 në Torino ndaj Juventusit, në rast barazimi me pikë në fund të kampionatit, janë kuqezinjtë ata që favorizohen. Milani ndan vendin e dytë me Atalantën, me pikë të barabarta (72) dhe largon Juventusin -3 nga zona Champions, duke e kaluar edhe me diferencën e golave në ndeshjet direkte.

Ka përfunduar 0-3 ndeshja dhe numrat tregojnë gjithçka: 3 gola, një penallti e humbur dhe vetëm një gjuajtje për Juventusin në pasqyrën e portës. Fitore e pastër e skuadrës së Piolit, ndërsa Juventusi, para syve të Xhon Elkan, hyn në krizë. Matematikisht nuk kanë humbur shpresat për Championsin, sepse Napoli është vetëm një pikë para, por po të krahasosh kalendarin e dy skuadrave, ai i bardhezinjve është më i vështirë.

Pirlo e kishte gjithë grupin në dispozicion dhe zgjodhi dyshen De Ligt-Kielini në mbrojtje, me Bonuçin në stol, kurse Kuadrado luajti në të djathtë, me MekKenin përpara, ndërsa në të majtë Kieza përpara Aleks Sandros. Në mesfushë, Bentankur dhe Rabiot dhe në sulm Ronaldo dhe Morata.

Edhe Pioli për herë të parë kishte gati gjithë grupin. Ai preferoi Tomorin përpara Romanjolit dhe Kjaerin përkrah tij. Titullar luajti Brahim Diaz, i cili shënoi golin e parë në fund të pjesës së parë. Ai luajti pas Ibrahimoviçit dhe Çalhanoglu në të majtë, kurse Leao dhe Rebiç në stol.

Pjesa e parë nuk ishte e një niveli të lartë, me shumë faulle, pasi edhe lodhja e futbollistëve në këtë fund të sezonit u ndje. Milani u mbrojt mirë dhe rrallë herë doli përpara. De Ligt mund të shënonte në portën bosh, pas një daljeje të Donarumës, por gjeti barkun e Hernandez. Më pas Milani u organizua mirë dhe arriti të shënonte pas një gabimi të Sheznit, që u shfrytëzua nga Diaz, i cili e dërgoi topin sipër kokës së Kielinit.

Juventusi nuk gjeti asnjëherë ndihmën e Ronaldos në lojë, me portugezin që humbi edhe topa banalë. Milani në pjesën e dytë pati kurajë dhe personalitet, fitoi një penallti, që Kesi e humbi. Pioli humbi Ibrahimoviçin për dëmtim dhe më pas edhe Diazin, në vend të tyre u futën Rebiç dhe Kruniç. Milani vazhdoi të luante fort dhe Rebiç dyfishoi me një të djathtë fantastike nga distanca. Në fund edhe goli i tretë me kokë nga Tomori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë