Një dopietë e Korreas dhe një gol i Imobiles kanë bërë që Milani të marrë një tjetër goditje të fortë. Brenda dy ditësh skuadra e Piolit është parakaluar nga Atalanta dhe është barazuar nga Napoli dhe Juventusi në kuotën e 66 pikëve, duke përfunduar në vend të 5-të. Nëse kampionati do të mbyllej tani, kuqezinjtë do të ishin jashtë Ligës së Kampionëve.
Tashmë Milani nuk po funksionon as në transfertë. Pas humbjes në shtëpi me Sasuolon, ka ardhur një tjetër zhgënjim në fushën e Lacios, ku është mundur 3-0, duke kompromentuar objektivin e sezonit. Nga 3 skuadrat me pikë të barabarta dhe para se të kompletohen ndeshjet direkte, Napoli ka golaverazhin më të mirë, më pas Juventusi dhe pastaj Milani. Lacio në anën tjetër, me 61 pikë dhe një ndeshje më pak, ka të drejtë të shpresojë për zonën Champions. Strakosha ishte në stol sërish.
Korrea shënoi për Lacion vetëm pas 2 minutash lojë, për të dyfishuar në fillim të pjesës së dytë, por në këtë rast Milani ka protestuar për një faull ndaj Çalhanoglu. Arbitri e pa këtë episod edhe me VAR, por vendosi ta quajë të vlefshëm golin, duke irrituar trajnerin Pioli. Në fund Imobile trefishoi rezultatin. Milani luajti shumë dobët në mbrojtje, sidomos Tomori, fajtor në të tre golat e Lacios. Por edhe pjesa tjetër e skuadrës nuk funksionoi.
Napoli më parë bëri detyrën ndaj Torinos në transfertë, duke fituar 0-2, me gola të shënuar nga Bakajoko dhe Osimhen. Ishin dy gola të shpejtë që e mbyllën shpejt historinë e kësaj ndeshjeje. Elseid Hysaj luajti titullar në të majtë të mbrojtjes, një rol që mbrojtësi kuqezi po e konsolidon gjithmonë e më tepër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje