Futboll

Video/ Muçi shënon edhe në Champions, nderon Legian në Zagreb me një eurogol

Legia e Varshëvës nën këmbët e Ernest Muçit. Sulmuesi shqiptar po kalon një moment shumë të mirë me skuadrën polake, me të cilën sot ka shënuar një tjetër gol me shumë peshë. Ai realizoi golin e barazimit ndaj Dinamos së Zagrebit, në fushën e kësaj të fundit, në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampionëve.

Muçi hyri në fushë në minutën e 75-të dhe 7 minuta më pas shënoi me një goditje potente nga jashtë zonës, duke zënë në befasi portierin Livakoviç të kroatëve. Më parë Dinamo e Zagrebit kishte kaluar në avantazh me Petkoviç. Goli i Muçit është shumë i rëndësishëm dhe mund të rezultojë vendimtar sa i takon kualifikimit, pasi barazimi 1-1 në transfertë i ndihmon shumV polakët.

Ish-sulmuesi i Tiranës disa ditë më parë realizoi një supergol, sërish nga distanca, duke i dhënë fitoren Legias në javën e parë të kampionatit polak. Trajneri i tij gjithmonë ka folur me superlativa për futbollistin e Kombëtares U-21, që tashmë po e tregon veten dhe nuk është aspak çudi që së shpejti të marrë një ftesë nga Reja në Kombëtaren A.

Në Ligën e Kampionëve ka luajtur sot edhe futbollisti i Kombëtares, Myrto Uzuni. Ferencvaroshi i tij mundi 2-0 Sllavian e Pragës, por sulmuesi beratas, 90 minuta në fushë, nuk arriti ta gjente rrugën e rrjetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë