Futboll

Video/ Një rus masakron Vllazninë në Bosnjë, dy penallti dhe dy të kuq kundër

Dy penallti kundër, shumë të dyshimta, dy kartonë të kuq kundër, njëri për mesfushorin Ardit Krymi dhe tjetri për trajnerin Tomas Bërdariç, dhe 10 kartonë të verdhë kundër: në fund një humbje 3-1 për Vllazninë në Bosnjë ndaj Shiroki Brijeg, në turin e parë të Ligës së Konferencës. Ky është bilanci i kësaj ndeshjeje, ku arbitri rus, Matjunin, i ka masakruar dhe tërbuar shkodranët në kuptimin e plotë të fjalës.

Penalltia e parë u dha në fund të pjesës së parë, për një kontakt të Gurishtës me një nga lojtarët vendës. Kontestime nga lojtarët e Vllaznisë, por asgjë nuk ndryson dhe boshnjakët kalojnë në avantazh me Staniç. Penalltia e dytë kundër akordohet në fillim të pjesës së dytë, edhe kjo shumë e kontestuar, ndërsa Staniç realizon sërish.

Trajneri Bërdaric kryen disa lëvizje nga stoli, por Vllaznia ndëshkohet me golin e tretë, pas një sulmi nga e djathta e Shirokit dhe një pakujdesi në mbrojtje. Hoxhaj godet traversën dhe pretendon se topi ka kaluar vijën fatale, por arbitri vazhdon lojën.

Në fundin e ndeshjes, Krymi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, pasi ankohet tek arbitri për vonesat e lojës së boshnjakëve. E njëjta gjë ndodh edhe me trajnerin Bërdariç, që duhet të lërë stolin.

Një gol i të riut Çoba në shtesë mban gjallë shpresat e shkodranëve për kualifikim në ndeshjen e kthimit. Mbrëmja e sotme u shndërrua në një makth të vërtetë për shkodranët, të cilët do të shohin ëndrra me rusin Matjunin ndoshta për disa ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë