Futboll

Video/ Pogba nxjerr Milanin jashtë Europës, Mourinjo turpërohet në Zagreb

Një gol i Pol Pogba në “San Siro” i ka dhënë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Europës Mançester Junajtid. Anglezët ishin favoritë ndaj Milanit, por barazimi 1-1 në “Old Trafford” i jepte shpresë skuadrës së Piolit, që sërish kishte mungesa, aq sa Kastilejo u aktivizua në rolin e 9-ës false.

Pogba, 2 minuta pas futjes në fushë në pjesën e dytë, realizoi golin e vetëm të ndeshjes. Edhe futja e Ibrahimoviçit në fushë nuk e ndryshoi rezultatin dhe kështu Milani i ka dhënë lamtumirën Europës. Vetëm Roma e Kumbullës përfaqëson Italinë në Europë tashmë, pasi gjithë skuadrat e tjera janë eliminuar.

Në mënyrë të befasishme është eliminuar Totenhemi i Mourinjos, që është turpëruar në Kroaci nga Dinamo e Zagrebit. Kroatët e mbyllën kohën e rregullt me rezultatin 2-0, aq sa kishte përfunduar ndeshja e parë në Angli. Heroi i Dinamos ishte sulmuesi Orsiç, i cili në shtesë shënoi edhe golin e tretë personal, duke i dhënë kualifikimin skuadrës së tij.

Një kualifikim surprizë ishte edhe ai i Sllavias së Pragës në fushën e Gllasgou Rejnxhërs. Çekët fituan 0-2 në Skoci, ku golin e parë e realizoi ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olainka. Tetë skuadrat çerekfinaliste të Ligës së Europës janë: Arsenal, Granada, Roma, Dinamo Zagreb, Mançester Junajtid, Vilarreal, Sllavia Pragë dhe Ajaks.

Liga e Europës, 1/8
ARSENAL-Olimpiakos 0-1 (3-1)
Molde-GRANADA 2-1 (0-2)
Shakhtar-ROMA 1-2 (0-3)
DINAMO ZAGREB-Totenhem 3-0 (0-2)
Milan-MANÇESTER J 0-1(1-1)
Rejnxhërs-SLLAVIA PRAGË 0-2 (1-1)
VILARREAL-Dinamo Kiev 2-0 (2-0)
Jang Bojs-AJAKS 0-2 (0-3)
Shënim: Me kapitale skuadrat e kualifikuara, në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë