Futboll

Video/ Reali fundos Interin, goleada për Liverpulin dhe Bajernin

Liga e Kampionëve është një malore e fortë për Interin, që ka pësuar humbjen e parë në grup, duke e bërë kualifikimin gati të pamundur. Real Madrid, si një ekip ekspert në këtë kompeticion, nuk ka falur në këtë ndeshje vendimtare, ku fitoi 3-2 dhe u ngjit në kuotën e 4 pikëve, aq sa ka edhe Shakhtari i vendit të dytë. Interi është i vetmi ekip në grup që nuk ka marrë ende fitoren e parë.

Një gabim i Hakimit i dhuroi golin e parë Realit, i realizuar nga Benzema. Kapiteni Serxho Ramos nuk mungoi në takimin me golin edhe këtë herë, duke dërguar me kokë në rrjetë një top të krosuar nga Toni Kros. Por Interi reagoi mirë dhe Lautaro Martinez shkurtoi diferencën pas një pasimi të bukur më takë të Barelës. Perisiç barazoi shifrat në pjesën e dytë, por ndërrimet e Zidan rezultuan të goditura. Vinicius dhe Rodrigo “gatuan” golin e fitores pas një kundërsulmi të shpejtë nga e majta, të finalizuar nga i dyti.

https://youtu.be/ryv0CV1kLQk
Golat e ndeshjes Real-Inter, 3-2. Gazeta Si, 3 nëntor 2020

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, foli me superlativa për Atalantën para ndeshjes, por në fushë rezultoi gjithçka e lehtë për anglezët, që shënuan 5 gola, 3 nga të cilët mbajnë firmën e portugezit Jota. Gjimshiti, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, ishte titullar në këtë ndeshje, ku ashtu si dhe shokëve të skuadrës, nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të vështronte spektaklin e Liverpulit, që kryeson bindshëm Grupin D me 9 pikë në 3 ndeshje. Po kaq pikë ka edhe Mançester Siti në Grupin C, pas fitores 3-0 ndaj Olimpiakosit, e treta radhazi edhe për Guardiolën.

Rezultatin më të thellë të mbrëmjes e arriti Borusia Mënshegladbah, që shkatërroi 0-6 Shakhtarin në fushën e tij. Rezultati flet qartë për dominimin e skuadrës gjermane që udhëheq Grupin B me 5 pikë. Bajern Mynih fitoi 2-6 në fushën e Salcburgut, ku Levandovski ishte autor i një dopiete. Edhe bavarezët njohin vetëm fitore në Grupin A, ku kryesojnë me pikë të plota.

Ndeshjet e treta në grup
Lokomotiv Moskë-A.Madrid 1-1
Shakhtar-B.Mënshengladbah 0-6
Atalanta-Liverpul 0-5
Porto-O.Marsejë 3-0
Mançester Siti-Olimpiakos 3-0
Midtjyland-Ajaks 1-2
Real Madrid-Inter 3-2
Salcburg-Bajern M. 2-6


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë