Real Madrid ka fituar 3-1 ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Një rezultat i mirë për ekipin e Zidan, ndërsa për anglezët kualifikimi është bërë shumë i vështirë tashmë, edhe pse ai gol i Salah në fushë kundërshtare lë ende shpresa.
Ishte braziliani Vinicius njeriu i ndeshjes për spanjollët. Një mbrëmje “kopertinë” për sulmuesin e ri, autor i dy golave në këtë ndeshje. Ai zhbllokoi shifrat pas një pasimi perfekt të Toni Kros, më pas Asensio dyfishoi, duke përfituar nga një gafë në mbrojtje e Aleksandër-Arnold.
Salah shkurtoi diferencën e golave pas fillimit të pjesës së dytë, por Vinicius realizoi sërish në portën e Alison dhe gjithçka u mbyll 3-1. Trajneri Zidan nuk kishte të gatshëm në këtë ndeshje kapitenin Ramos për dëmtim dhe mbrojtësin tjetër Varane, që rezultoi pozitiv me Covid-19. Skuadra e trajnerit Klop pagoi gabimet në mbrojtje në këtë ndeshje. Ndeshja e kthimit luhet në “Anfield Road”.
Ka fituar edhe Mançester Siti në çerekfinalen tjetër të mbrëmjes, por me shumë vështirësi. Kjo ndeshje u mbyll 2-1 dhe vetëm në minutën e fundit të kohës së rregullt Foden i dha fitoren skuadrës së Guardiolës. De Bryjne realizoi golin e parë për “qytetarët” në pjesën e parë, 6 minuta para fundit Borusia Dortmund barazoi me Marko Rojs dhe në fund Foden vulosi rezultatin në 2-1.
Interesant është fakti se Guardiola bëri vetëm një zëvendësim në këtë ndeshje, duke aktivizuar nga stoli vetëm brazilianin Gabriel Jesus.
Liga e Kampionëve, çerekfinalet
Sot
Real-Madrid-Liverpul 3-1
Mançester Siti-Borusia Dortmund 2-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje