Reali Madrid është gjithmonë i frikshëm në Ligën e Kampionëve. Edhe kur nuk është në momentin më të mirë, skuadra spanjolle është e aftë të arrijë suksesin, falë përvojës së madhe që ka në këtë kompeticion. Kjo gjë ndodhi edhe ndaj Atalantës, ku madrilenët shfrytëzuan më së miri gabimet e ekipit italian dhe kaluan në çerekfinale. Pas fitores 0-1 në Bergamo, Reali fitoi edhe në fushën e tij me rezultatin 3-1.
Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, luajti titullar në “Santiago Bernabeu”, ku bëri një paraqitje të mirë, por skuadra e tij është detyruar t’i thotë lamtumirë Ligës së Kampionëve për këtë sezon. Strategjia e trajnerit Gasperini u prish në pjesën e parë nga gabimi i portierit Sportielo, që i dhuroi topin Luka Modriç, kroati pasoi te Benzema që kaloi Realin në avantazh.
Goli i dytë për spanjollët u shënua me një penallti të konfirmuar nga VAR-i. Kapiteni Serxhio Ramos u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke prerë çdo shpresë të miqve për kualifikim. Atalanta shkurtoi diferencën në 2-1 me golin e nderit nga Luis Muriel, por vetëm 2 minuta më pas Asensio shënoi edhe të tretin për madrilenët, të cilët kalojnë në çerekfinale.
Një kualifikim më i lehtë ishte ai i Mançester Sitit, që i fitoi të dyja ndeshjet ndaj Borusia Mënshegladbahut, 0-2 në Hungari dhe po 2-0 në Angli. Skuadra e Pep Guardiolës e mbylli ndeshjen brenda 18 minutash, duke shënuar dy herë në portën e gjermanëve me De Bryjne dhe Gyndogan. Më pas ndeshja nuk pati histori.
Në çerekfinale kanë kaluar edhe Liverpuli, Porto, PSG dhe Borusia Dortmund. Nesër do të përcaktohen edhe dy skuadrat e fundit që do të kalojnë turin, pas ndeshjes Çelsi-Atletiko Madrid (1-0) dhe Bajern Mynih-Lacio (4-1).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje